Ministria e Shëndetësisë tregon procedurën që duhet të ndiqet nga personat që duan të testohen

256

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni përmes një kumtese për media, i njofton qytetarët që kanë simptoma të coronavirusit dhe dëshirojnë të testohen, si mund ta bëjnë këtë.

Nga MSH thonë se marrja e mostrave prej dje bëhet edhe përmes mjekëve amë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nëse qytetarët kanë ndonjë nga simptomat: kollë të thatë, ethe, temperaturë ose vështirësi në frymëmarrje duhet së pari të telefonojnë mjekun e tyre amë. Për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe shëndetin e qytetarëve të tjerë, ata nuk duhet të shkojnë në ordinancë, por duhet ta telefonojnë mjekun e familjes përmes telefonit. Mjeku amë do t’ju parashtrojë disa pyetje qytetarëve. Sipas përgjigjeve në anketën epidemilogjike, algoritmi elektronik tregon nëse është i nevojshëm testimi ose jo, dhe nëse është i nevojshëm, cila është shkalla e urgjencës”.

“Me këtë rast apelojmë tek qytetarët që të japin informacione të sakta në anketën epidemiologjike, në interes të shëndetit publik dhe saktësimin e urgjencës për testimin e tyre. Gjithashtu apelojmë që të paraqiten vetëm nëse kanë simptoma, të mos ngarkohet sistemi pa nevojë”, thonë nga MSH.

MÖBEL THEMA

Ata shtojnë se në rast se duhet të bëhet testimi, mjeku amë cakton termin përmes sistemit “Termini im”, në disa prej pikave, sipas vendndodhjes së pacientit.

“Pa caktimin e terminit, është e pamundur të bëhet testimi dhe për këtë luten qytetarët të mos shkojnë nëpër pika pa mos bërë termin. Pas caktimit të terminit, nuk duhet të shkohet tek mjeku amë ose të merret ndonjë vërtetim, qytetarët duhet të shkojnë drejtpërdrejt në pikë që të testohen. Theksojmë që duhet të posedojnë pajisje mbrojtëse dhe sipas mundësive të mos vijnë me transport publik”.

“Pas marrjes së mostrave dhe anketës, për rezultatet pacientët do të njoftohen dhe në pajtim me gjendjen e tyre do të merret vendim për kurimin e mëtejshëm, nëse do të bëhet në klinikë, spital ose në kushte shtëpiake, në komunikim të përditshëm me mjekët amë, motrat medicinale dhe mjekët nga Klinika për Sëmundje Infektive”, thuhet në njoftimin e MSH.

Ata shtojnë se për më shumë informacione, qytetarët e kanë në dispozicion edhe numrin pa pagesë të Ministrisë së Shëndetësisë: 0800 002 03./Telegrafi/

Comments