Osmani: Dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë do të financohen nga shteti

487

Punimet për dy kilometrat e parë të autostradës Shkup- Bllacë, marrin dritë jeshile, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Qeverisë dhe firmës e cila e ka fituar tenderin. Bëhet fjalë për autostradën e cila do të lidh Shkupin dhe Prishtinën, përmes autostradës “Arben Xhaferi”, punimet e së cilës pritet të fillojnë në pranverë. Koordinatori i projektit, Bujar Osmani tha se pas përfundimit të punimeve Shkupi dhe Prishtina do të jenë dy qytetet më të afërta, pasi me lidhjen që e bën kjo autostradë të dy kryeqytetet do të jenë në largësi më pak se një orë. Ai nënvizoi se punimet pritet të nisin në pranverë, ndërsa deri atëherë, pritet të përfundojë procesi i shpronësimit të 68 parcelave të tokës që janë në pronësi të banorëve të Bllacës. Osmani tha se dy kilometrat do të financohen nga buxheti i shtetit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa pjesët tjera me kredi të Bankës Botërore për Zhvillim dhe nga fondi i Ballkanit Perëndimor.
“Mendoj se ishte një mendim i mire strategjik që projekti u nda në dy pjesë, gjegjësisht pjesë që do ta ndërtojë shteti me para nga buxheti, e këto janë dy kilometrat e parë, nga pika kufitare Bllacë deri hyrjen e fshatit Bllacë, pasiqë e gjithë procedura është më ndryshe, nëse të hollat janë siguruar nga shteti, gjegjësisht nga ndërmarrja publike për rrugë shtetërore, ndërsa procedura është ndryshe nëse ndërtoni projekt me kredi të siguruar. Kështuqë e ndamë projektin në dy kilometra dhe 10 kilometra…. Projekt i një rëndësie të veçantë strategjike për vendin dhe gjithë rajonin. Unë besoj se shumë shpejt Prishtinën dhe Shkupin do ta lidhim me një autostradë moderne, e cila do të kalohet për më pak se 45 minuta. Këto dy kryeqytete do të bëhen më të afërtat në rajon, duke ofruar një mundësi për lidhshmëri të njerëzve, mallrave dhe një klimë të re të bashkëpunimit mes shteteve dhe popujve”, ka deklaruar Bujar Osmani, raporton SHENJA.

Comments