Qeveria ia dorëzoi Kuvendit mendimin për interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për falje

459

Qeveria ia ka dërguar Kuvendit mendimin për interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për falje, ndërsa spikeri i Kuvendit, Talat Xhaferi ia ka dorëzuar kryetares së Komisionit Ligjdhënës Juridik, Sonja Mirakovska.

Sipas informacioneve të Kuvendit, pritet gjatë ditës së nesërme të caktohet seancë e Komisionit Ligjdhënës Juridik.

Qeveria në seancën e sotme e miratoi mendimin e Ministrisë së Drejtësisë që të pranohet nisma për interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për falje, dorëzuar nga deputetët Sashko Kostov dhe Dime Vellkovski.

Siç thuhet në kumtesën e seancës qeveritare, në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Ligji për falje u ndryshua dhe u miratua në vitin 2009, kur u shfuqizua neni 11, i cili përmbante mundësinë e faljes pa u zbatuar procedurë.

“Sipas këtij mendimi, në mars të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e pezulloi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falje prej vitit 2009, por me pezullimin e ligjit prej vitit 2009, nuk kthehet në fuqi dispozita e nenit 11. Kjo do të thotë se presidenti i Republikës nuk ka pasur, e as tani nuk ka mundësi juridike që të japë falje pa zbatimin e procedurës në bazë të këtij neni dhe sipas kësaj të gjitha aktet për faljen e presidentit të shtetit të bazuara në nenin 11 të Ligjit për falje të publikuar në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë” numër 20/1993, janë të paligjshme dhe si të tilla të shfuqizuara”, thuhet në kumtesë.

Comments