Shkroi se Kurti duhet ta lëshojë Kosovën ose do të vritet, Haxhi Hoti thotë se i vjen keq

454

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti ka thënë se i vjen keq për shkrimin që kishte publikuar në “Facebook” e ku shkruante se Albin Kurti ose të lëshojë rrugë ose do të vritet.

“Nuk kom pyetje, më vjen keq për kryeministrin që ka ndodh, unë ma shumë e quaj një keqkuptim, për kryeministrin as s’kom pas diçka naj vërejtje”, tha i akuzuari Hoti.

Një deklarim të tillë ai e ka bërë në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë dëgjimit të dëmtuarit-kryeministrit Kurti në cilësinë e dëshmitarit.

Hoti po akuzohet se përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” në dhjetor të 2019-ës, ku kishte shkruar “Albin Kurti ka dy rrugë ose ta lëshoj Kosovës ose mund të vritet”, ka kryer veprën penale të shtytjes në kryerje të veprës penale vrasja.

Paraprakisht, kryeministri Kurti është marrë në pyetje nga prokurorja e rastit Javorka Prlinçeviç dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Rasim Hoti, ku gjykimi është përcjellë me kundërshtime nga këto dy palë.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se para rastit kritik, nuk kishte dëgjuar asnjëherë për të akuzuarin Hoti.

Në pyetjen e avokatit Hoti, se a i kujtohej Kurtit çfarë kishte thënë në media gjatë kohës sa kishte qenë në ndalim i akuzuari Hoti, ka pasur kundërshtime nga prokurorja Prlinçeviç.

“Nuk e shoh çfarë lidhje ka deklarata për media e të dëmtuarit me veprën penale të akuzuarit, sepse në fjalën hyrëse i dëmtuari është deklaruar se nuk e ka ndi veten të kërcënuar dhe deklaratat të cilat i ka dhënë për media, i ka dhënë në cilësi të personit politik dhe nuk shoh se çfarë lidhje ka me veprën penale e të akuzuarit që është lëndë e kësaj procedure, andaj i propozoj gjykatës që pyetjen e parashtruar ta refuzoj”, ka deklaruar prokurorja.

E pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltën Murseli e ka udhëzuar avokatin Hoti që t’i parashtrojë dëshmitarit pyetje të tërthorta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, avokati Hoti ka pyetur kryeministrin Kurti nëse i njëjti pas rastit kritik, ka pasur ndonjë kërcënim përmes statuseve në rrjete sociale nga i mbrojturi i tij.

Mirëpo, kjo pyetje pas kundërshtimeve të prokurores Prlinçeviç u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, duke e udhëzuar përsëri avokatin Hoti që të parashtrojë pyetje të tërthorta në drejtim të të dëmtuarit Kurti.

Në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave, ku prokuroria ka propozuar si provë kallëzimin penal ndaj të akuzuarit Hoti dhe ekstraktin e profilit të “Facebookut” të të njëjtit.

Comments