Sofja shuan shpresat për zgjidhje më të lehtë të kontestit me Shkupin

410

Kryediplomatja bullgare, Ekaterina Zaharieva iu jep fund shpresave të Maqedonisë për zgjidhjen më të lehtë të kontestit, pas zgjedhjeve në Bullgari. Ajo tha se pozicioni i Sofjes është i unifikuar në Asamblenë Kombëtare shumë kohë më parë dhe se pas saj qëndrojnë partitë dhe shoqëria bullgare.

“Më e mundur është që nëse ndryshon, të përkeqësohet”-pohoi Ekaterina Zaharieva, ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Zaharieva theksoi se propozim planet aksionare janë përgatitje për mbajtjen e takimit të rregullt të Komisionit ndër-qeveritar, që Shkupi do të duhej ta organizonte që vitin e kaluar.

“Ne duam t’i tejkalojmë stereotipet e së kaluarës, të ndalojmë së arsimuari dhe së krijuari popull mbi qëndrim anti-bullgar, t’i japim fund gjuhës së urrejtjes, t’i japim fund arsimit që promovon urrejtje ndaj gjuhës bullgare. Sipas meje nuk është e komplikuar, por është shumë e komplikuar sipas tyre”-pohoi Ekaterina Zaharieva, ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Lideri i opozitës maqedonase, Mickoski këmbëngulë se në tavolinë të negociatave është identiteti maqedonas.

“Në tavolinë, përskaj biznesit është edhe identiteti maqedonas. I bëj thirrje Qeverisë, Zaevit, Osmanit, Dimitrovit ta tregojnë dokumentin 12 pikësh! Këtij vendi i duhet pushtet konstruktiv, andaj i ftoj në arsye! Menjëherë të dalin me dokumentin! Të paraqiten para deputetëve në debatin që e organizon Milloshoski! Nëse nuk fshihni dhe nuk shisni, atëherë ejani zotërinj, merreni guximin dhe dilni para opinionit! Mjaftë me fshehje, gënjeshtra, manipulime!”-pohoi Hristijan Mickoski, lider i VMRO DPME-së.

Së fundmi, Ministri Osmani mohoi ekzistencën e aneksit 12 pikësh. Ambasadorja e Gjermanisë, Hollshtajn inkurajoi palët ta thellojnë bashkëpunimin në sferat që nuk kanë dallime duke siguruar se Gjermania me Portugalinë dhe Slloveninë do t’i vazhdojnë përpjekjet për fillimin e negociatave këtë vit.

“Ashtu si deri më tani, edhe më tej nuk kemi plan B. Ajo që mbetet është të vazhdojnë bisedimet për hapjen e negociatave për anëtarësim mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Nuk ka alternativë tjetër, janë plotësuar të gjitha kushtet”-tha Anke Hollshtajn, ambasadore e Gjermanisë.

Sofja po e kushtëzon fillimin e negociatave me heqjen dorë nga pretendimet historike.

Anesa Salihu

Comments