Sot pritet vendimi final për vitin e ri shkollor

101

Komisioni për Sëmundje Infektive pritet që sot të merr vendim për modelin final të realizimit të procesit mësimor. Vendimin duhet ta kumtojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës.  Gjatë ditës së djeshme nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se janë diskutuar protokollet shëndetësore për realizim të mësimit si dhe mundësia e fillimit të vitit shkollor nga 1 shtatori, por që nuk është marrë asnjë vendim për shkak se po analizohen të gjitha mundësitë për zgjidhjen më të mirë dhe më të sigurt për nxënësit dhe gjithë të punësuarit në arsim. Komisioni pritet që sot të diskutojë protokollet e njëjta bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.

MÖBEL THEMA

Ndërkohë, sipas informacioneve që ka siguruar Alsat, modeli final nuk do të vlejë njëjtë për të gjitha shkollat por gjithçka do të varet nga numri i nxënësve në shkolla. Të njëjtat burime, thonë se është diskutuar që shkollat të cilat kanë numër më të vogël të nxënësve ta realizojnë procesin mësimor në formë të rregullt, ashtu siç ishte para mbylljes së shkollave për shkak të pandemisë Covid 19. Kjo nënkupton që edhe ora e mësimit të zgjatë 40-45 minuta. Ndërsa, në shkollat e stërngarkuara me nxënës është diskutuar që mësimi të zhvillohet në formë të kombinuar, një pjesë e nxënësve ta ndjekin mësimin në shkollë ndërsa pjesa tjetër online nga shtëpia. Edhe për këto të fundit parashihet që ora e mësimit të zhvillohet e plotë.

Para disa dite, ministri i Arsimit Arbër Ademi tha se viti i ri shkollor pritet të filloj më 1 shtator me prezencë fizike të nxënësve duke shtuar se ka kohë të mjaftueshme për përshtatjen e shkollave me protokollet për mbrojtje nga virusi korona. Propozimet e Ministrisë së Arsimit tashmë janë diskutuar edhe në Shtabin e Krizës ku ka mbizotëruar qëndrimi që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike.

Comments