“Specialët” e SPAK hapin dosjen e Llallës dhe padinë e Izet Haxhisë ndaj Berishës për 23 vepra penale! Gati lista e çështjeve që do të kalojnë në skaner

431

Prokuroria e Posaçme ka gati listën e të gjitha çështjeve që do të jenë në kompetencë të tyre. Në dhjetor nisi procesi i transferimit të dosjeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe prokuroritë e rretheve te SPAK, ndërsa gazeta ka mësuar se i gjithë procesi i arkivimit ka përfunduar dhe gjithçka tashmë është në dorë të specialëve. Bëhet fjalë për rreth 170 dosje krimi e korrupsioni që janë regjistruar në SPAK.

Në ditët në vijim pritet që prokuroria të hedhë dritë mbi listën e plotë të çështjeve, por gazeta ka mësuar se 2 prej dosjeve më të rëndësishme në fushën e korrupsionit që kanë kaluar aty dhe ka nisur procesi i verifikimit nga Prokuroria e Posaçme janë: Ajo e hetimeve ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe padia e Izet Haxhisë ndaj ish-kryeministrit Berisha. Të dyja këto dosje ishin në proces hetimi nga Krimet e Rënda dhe janë transferuar te Prokuroria e Posaçme, ku do i nënshtrohen një verifikimi të thellë për të vendosur rrugën që do të ndiqet.

Hetimet ndaj Llallës

MÖBEL THEMA

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla rrezikon të jetë “peshku” i parë i SPAK. Menjëherë pasi la detyrën, ndaj tij nisi një proces hetimi pas një kërkese të pasardhëses së tij, Arta Marku. Hetimet nisën nga Prokuroria e Durrësit dhe më pas dosja kaloi te Krimet e Rënda. Ndaj ish-kryeprokurorit rëndojnë 4 akuza. Llalla akuzohet për shpërdorimi detyre, fshehje pasurie, pastrim parash dhe mosdeklarim të parave në kufi. Sa i takon shpërdorimit të detyrës, dyshohet se ka pasur abuzime me tendera, pasi nga një tender ka përfituar dikush me të cilin Llalla ka bërë shitje dhe blerje pronash. Sa i takon pastrimit të parave dyshimet u ngritën sepse Llalla bënte rivlerësime të shpeshta të pronave. Ai i blinte lirë dhe më pas i rivlerësonte duke rritur ndjeshëm çmimin. Po ashtu dyshohet se nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë. Llalla dyshohet se ka dalë në kufi me rreth 60 mijë euro cash. Ai ka deklaruar se i ka përdorur për shkollimin e fëmijëve dhe ju kërkua ndihmë Gjermanisë për të vërtetuar një gjë të tillë. Duke qenë se hetimet ndaj tij kanë 2 vite që vijojnë, “specialët” janë duke bërë verifikime nëse dosja duhet çuar apo jo në gjykatë.

Padia ndaj Berishës

Një çështje tjetër sensitive është ajo e padisë që Izet Haxhia ka bërë ndaj Berishës për 23 vepra penale. Në fund të vitit 2019, Haxhia shkoi rreth 7 herë në ambient e prokurorisë ku dha deponimet e tij mbi padinë ndaj ish-kryeministrit. Pas ekstradimit në Tiranë, ai vendosi që të ngrinte një padi ndaj Berishës, duke e akuzuar për ngjarjet më të bujshme në vend që nga viti 1991. Në padinë e siguruar nga gazeta, Izet Haxhia pretendon se Sali Berisha e ka urdhëruar atë për të bombarduar ambasadën amerikane në Tiranë, pas mosmarrëveshjeve që kishte ish-kryeministri në fund të pushtetit të parë. Por, Haxhia pretendon se nuk ka pranuar që ta zbatojë këtë urdhër. Sakaq, ish-truproja i Berishës akuzon këtë të fundit në organin qëndron të akuzës për eliminim e Azem Hajdarit dhe më pas organizimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, për marrjen e pushtetit me dhunë. Gjithashtu Haxhia akuzon Berishën për vrasjen dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, përmes SHIK-ut nën drejtimin e Bashkim Gazidedes. Më tej, në padi Haxhia pretendon se ish-kryeministri është përgjegjës edhe për firmat piramidale, për hapjen e depove të armëve si dhe ka urdhëruar bombardimin e jugut të vendit. Sipas Haxhisë, Berisha kishte planifikuar edhe vrasjen e Skënder Gjinushit, të Sabit Brokajt, të Arben Imamit dhe Shaban Memisë. Po ashtu, në padi Haxhia akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se ka paguar 1,000,000 euro për ta eliminuar atë në mërgim. /Kliti Topalli

Comments