Tetova në fazën e rrezikshmërisë së lartë

496

Vetëm për një javë janë shënuar 205 raste të reja të të infektuarve me Covid 19 në Tetovë. Kjo tregon se vetëm javën që lamë pas Tetova ka dyfishuar numrin e të infektuarve, në krahasim me periudhën paraprake. Suzana Subasiq nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë thotë se të infektuarit janë mbi moshën 30 vjeçare, ndërsa shumica prej tyre kanë simptoma dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

“Qyteti dhe rajoni i Tetovës është në fazën e rrezikshmërisë së lartë, në fazën e transmetimit të shpejtë. Javën e kaluar numri i të infektuarve u dyfishua dy herë më shumë se në periudhën e njëjtë dhe në rajonin e Tetovës javën që lamë pas janë regjistruar 205 raste të personave të infektuar”, tha Suzana Subasiq nga QSHP – Tetovë.

Sipas Subasiqit rastet më të mëdha janë të përhapjes së virusit në familje dhe kjo tregon se masat nuk respektohen. Sipas mjekëve, numri më i madh i rasteve është si pasojë e fshehjes së kontakteve dhe familjarëve që të mos shkojnë në izolim.

Nga shtabi i krizës në Tetovë deklarojnë se spitali klinik i Tetovës nuk ka problem me shtretërit dhe personelin mjekësor, ndërsa deri më tani në shkollat e Tetovës dhe çerdhet janë infektuar 22 të punësuar.

“Në çerdhet për fëmijë Rinia në Tetovë, 3 të punësuar kanë rezultuar pozitiv ndaj Covid -19. Në shkollat fillore, 7 mësimdhënës dhe 1 administrator kanë rezultuar pozitiv me Covid – 19, kurse 3 grupe klasore gjenden në izolim shtëpiak. Në shkollat e mesme ku mësimi zhvillohet nga distanca, 11 mësimdhënës janë diagnostikuar me Covid -19”, thonë nga Shtabi I Krizës – Tetovë.

Nga fillimi i pandemisë në Tetovë janë realizuar 8 mijë teste të Covid 19 nga të cilët rreth 2 mijë persona kanë dalë pozitiv ose 30 % e të testuarve. Ndërkaq, nga virusi kanë humbur jetën 98 persona. Aktualisht, ka 408 raste aktive.

Comments