Veseli: Hoti e Kurti kur janë në pushtet i nënshtrohen Serbisë, në të kaluarën i quanin tradhtarë ata që ishin në dialog

109

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Kuvendin e Kosovës se kryeministri aktual Avdullah Hoti dhe ish-kryeministri Albin Kurti dhe partitë e tyre LDK e VV, tash e shumë vite kanë mashtruar qytetarët e Kosovës me temën e dialogut Kosovë-Serbi për një grusht votash, duke dëmtuar pozcionin e Kosovës.

“Këta dhe partitë e tyre, kur janë në opozitë, i quajnë tradhtarë kundërshtarët që shkojnë në dialog, ndërsa kur vetë vijnë në pushtet – dorëzohen e nënshtrohen para Serbisë”, tha Veseli.

 

 

Kreu i PDK-së Kadri Veseli ka kujtuar para deputetëve qëndrimet e Avdullah Hotit e Albin Kurtit sa ishin në opozitë.

“Më 30 korrik 2018, si shef i grupit parlamentar, Hoti kërkonte që shteti i Serbisë duhet të ofrojë menjëherë të dhënat për të pagjeturit, të shprehë vullnet për kërkimfalje dhe për kompensim të dëmeve të luftës. Tani shtrohet pyetja: A e bëri Serbia ndonjë prej këtyre veprimeve, para se Kryeministri Hoti të takohet me udhëheqësit e Serbisë këtë javë në Washington? Natyrisht që jo! Madje, kjo Qeveri shkoi edhe më tej. U zotua se nuk do të aplikojë në asnjë organizatë ndërkombëtare, duke e vendosur shtetin e Kosovës në pauzë”, tha Veseli.

Fjalimi i plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Të dashur qytetarë,

Të nderuar deputetë,

Është mirë që sot, në Kuvendin e Kosovës, po flasim për dialogun me Serbinë. Dhe është gjest për t’u përshëndetur prania e Kryeministrit Hoti dhe raportimi i tij para takimit në Washington.

Por, ka një problem. Qytetarët e dinë dhe unë po e përsëris këtu.

Fatkeqësisht, kur bëhet fjalë për dialogun, qëndrimet e kësaj Qeverie, të këtij Kryeministri dhe ish Kryeministrit tjetër, ndërrojnë sipas interesave.Këta dhe partitë e tyre, kur janë në opozitë, i quajnë tradhtarë kundërshtarët politikë që shkojnë në dialog, ndërsa kur vetë vijnë në pushtet – dorëzohen e nënshtrohen para Serbisë.

Të nderuar qytetarë,

Një pjesë e partive politike, duke nisur prej LDK-së e deri te VV-ja, procesin e dialogut e kanë keqpërdorur, si një luftë për pushtet dhe kundër oponentëve politikë, në këtë rast PDK-së.Asnjëherë nuk e kanë parë si ballafaqim me Serbinë, për ta përfunduar njëherë e mirë këtë histori të gjatë konflikti dhe për të mos u lënë barrë gjeneratave që vijnë.

Në vend se të shfrytëzohet kjo mundësi për t’u bërë bashkë dhe për të krijuar unitet përballë Serbisë, sikurse është angazhuar PDK, këto parti politike kanë zgjedhur të kundërtën.Të mashtrojnë. Të akuzojnë. Të mbjellin përçarje e frikë brenda. Të ikin nga përgjegjësia. Madje, të hyjnë në konflikt edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Dhe a e dini për çfarë? Jo për tjetër, pos për një grusht votash.Për dijeninë e secilit, dhe në respekt të qytetarëve që po na ndjekin, ne e kemi ditur që nga fillimi se dialogu me Serbinë nuk është një temë e këndshme dhe popullore, e që sjell vota.Madje, PDK ka paguar çmim për këtë.

Por, ne kemi marrë përgjegjësinë që na takon, duke qenë në Qeveri. Sepse, i kemi besuar Kosovës, luftës sonë, dhe u kemi besuar miqve ndërkombëtarë.Mbi të gjitha, ashtu siç e kemi ditur se nga ballafaqimi me Serbinë nuk duhet të frikësohemi e të fshihemi pas të tjerëve, por të përballemi e të fitojmë sikurse e kemi bërë në vitin 1999.

Ky është dallimi i PDK-së me disa parti, që në opozitë u dalin krahët, e në pushtet bëhen të dëgjueshëm, të urtë dhe u ikin përgjegjësive.Më lejoni t’jua rikujtoj vetëm një deklaratë të Kryeministrit Hoti, nga dhjetëra të tilla sa ka dhënë.Më 30 korrik 2018, si shef i grupit parlamentar, Hoti kërkonte që shteti i Serbisë duhet të ofrojë menjëherë të dhënat për të pagjeturit, të shprehë vullnet për kërkimfalje dhe për kompensim të dëmeve të luftës.

Tani shtrohet pyetja: A e bëri Serbia ndonjë prej këtyre veprimeve, para se Kryeministri Hoti të takohet me udhëheqësit e Serbisë këtë javë në Washington?

Natyrisht që jo!

Madje, kjo Qeveri shkoi edhe më tej.U zotua se nuk do të aplikojë në asnjë organizatë ndërkombëtare, duke e vendosur shtetin e Kosovës në pauzë.Në këto 21 vjet, nuk mbaj mend ndonjëherë një qëndrim të tillë më skandaloz të ndonjë Qeverie.Kjo flet shumë për pozicionin e ardhshëm negociues me Serbinë, që është i dobët.

Kur flasim për mashtrimet dhe ndryshimin e qëndrimeve për dialogun, hiç më e mirë nuk ishte as Albin Kurti.Njëjtë premtonte në opozitë se nuk do të ulet në tavolinë, pa i kthyer të pagjeturit. Dhe, pa 100 parakushte tjera.Por, sapo erdhi në pushtet, i harroi ato.Vrapoi  për t’u takuar me Bernabicin, e i mbet merak që s’e takoi edhe Vucicin.Nxori rezolutë për veten, në gjysmë të natës, në kohën e pandemisë, për t’u takuar pa kushte me Vucicin.

Për 100 ditët e qeverisjes së tij, nuk mbet mall e konvoj serb pa hyrë në Kosovë.

Për tërë këto, LDK-në e kishte në krah, e mbështeti dhe e votoi.Këto kasta politike, me lojëra e mashtrime, kanë krijuar neveri te qytetarët. Edhe LDK, edhe VV, siç duket, kurrë nuk e dinë për çka qëndrojnë, kur bëhet fjalë për interesat nacionale.

Ata e dinë për çfarë qëndrojnë vetëm kur bëhet fjalë për interesat e tyre personale dhe partiake.

Njëjtë vepruan edhe për demarkacionin, duke e kundërshtuar me gjithçka që mundën,  dhe pastaj e votuan.

Njëjtë me taksën dhe reciprocitetin.

I folën, kërcënuan me to, shanë për to, dhe në fund – ju e dini përfundimin.

E Kosova dhe qytetarët u dëmtuan rëndë nga këto papërgjegjësi.

Kujtojeni vetëm izolimin, duke mos u liberalizuar vizat për qytetarët tanë.

6 tetori, që u reklamua si kthesë shprese për vendin, prodhoi Kryeministra e Qeveri mashtrimi.

Njësoj do të përfundojë edhe kjo Qeveri, sepse as mendjen dhe as qëllimin nuk e ka të mbarë!

LDK dhe VV po prodhojnë probleme dhe konflikte për gjithçka brenda kombit tonë më shumë sesa po zgjidhin diçka.

E kanë vendosur qytetarin si target përfitimi, në vend se ta konsideronin si besim dhe partner.

Si mund të flasësh për bashkim kombëtar, kur ndan dhe hasmëron aq keq shqiptarët mes vete?

Si mund ta mbrosh Kosovën jashtë, kur e përçan aq shumë brenda?

Si mund ta mbrosh Kosovën brenda, kur jashtë i sulmon partnerët e lirisë dhe shtetit, SHBA-në?

Sa të vazhdojë kjo qasje, për fatin tonë të keq, do të forcohet edhe më shumë Vucici dhe do të na rrezikojë Serbia.

Me të tillë, nuk ka nevojë Kosova të ketë kundërshtarë jashtë, sepse këta brenda po e kryejnë punën për ta.

Po rrënojnë gjithkënd dhe gjithçka!

Të dashur qytetarë,

Me ditë të tëra mund të flitet dhe ia vlen të flitet.

Por, para nesh, kemi një proces që nuk mund të nënvlerësohet e anashkalohet. Duhet vendime!

Dialogu me Serbinë është kërkesë e SHBA-ve dhe BE-së.

Duhet të ndalet mashtrimi dhe këto parti të flasin qartë, LDK dhe VV, qoftë opozitë, qoftë pozitë, se cili është qëndrimi i tyre dhe të mos manipulojnë me parulla për qëllim të përfitimit elektoral.

Le t’i sjellin qëndrimet me shkrim. Sepse, tashmë të gjithë e dimë se ata po i ndërrojnë fjalët.

Sa për PDK-në, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë qysh në maj të vitit 2018, kur kemi ofruar platformën për dialogun.

Nuk jemi për luftë derisa Serbia nuk cenon ndonjë pjesë të territorit dhe njerëzve tanë.

Jemi për dialog, që Kosovës ia siguron ulësen në OKB, si shtet të pacenuar.

Ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty duhet të jetë edhe Kosova.

BE duhet ta njohë shtetin e Kosovës dhe t’i hapë rrugë integrimit dhe liberalizimit te vizave.

Jemi dhe do të mbetemi përherë evropianë krenarë.

Comments