Veseli: Më 6 tetor do të fitojmë për të mos i lënë të tjerët ta dështojnë Kosovën

177

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim në Prishtinë sot ka shpalosur vizionin e tij si Kandidat për Kryeministër.

Veseli ka thënë se askush më shumë se PDK-ja nuk e ka të qartë drejtimin që i duhet Kosovës. Ai ka përmendur kauzën e tij për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, për një ekonomi të fortë dhe aleancë me shtetet mike të Kosovës

Lideri i PDK-së ka thënë se më 6 tetor do të fitojë për të mos i lënë që të tjerët ta dështojnë Kosovën.

Ky është fjalimi i plotë i Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Çfarë mbrëmje emocionuese.

Çfarë shpirti fitimtar.

Dje na fitoi Kombëtarja e Kosovës në Futboll.

Më 6 tetor, bëhuni gati për fitoren e madhe të Kombëtares tonë në politikë.

Fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

Për secilin prej nesh është emocionues ky rrugëtim që po nisim.

Nuk është vetëm një ngjarje tjetër politike.

Nuk është vetëm një moment reflektimi për rrugën që kemi kaluar bashkë deri këtu.

Është zotim për rrugën që do ta bëjmë, për rrugën që do ta përcaktojë drejtimin e shtetit tonë.

Kemi arritur deri këtu me shumë sakrifica.

Kemi arritur suksese.

Kemi pasur edhe gabime.

Por, vetëm ata që e njohin rrugëtimin e Kosovës, i pranojnë vlerat, mundin, sakrificat, sukseset dhe gabimet, e dinë saktë se cili është drejtimi më i mirë që duhet ta marrë vendi ynë.

Të gjithë duhet ta dimë se 6 tetori nuk është thjesht një ditë votimi.

Është referendum për të ardhmen e Kosovës.

Nëse duam të ecim fuqishëm drejt rrugëtimit euro-atlantik, drejt ballafaqimit me sfidat reale të korrupsionit, nepotizmit, abuzimit, dështimit dhe rrezikimit të shtetit.

Apo, të futemi në dilema, konflikte dhe ikje nga përgjegjësitë?

Para nesh qëndron një moment kthese historike.

Dhe, në të tilla momente, ajo që del në pah gjithmonë është Partia Demokratike e Kosovës.

Më 6 tetor, ne do të fitojmë për të mos i lënë të tjerët ta dështojnë Kosovën, ta izolojnë Kosovën, ta lënë Kosovën në stagnim e paqartësi.

Më 6 tetor, ne do të fitojmë, me besimin qytetar, për t’u treguar të gjithëve se ky vend ka shpresë, se Kosova është besimi dhe jeta jonë, se burrat e gratë e Kosovës janë të zotë për ta  zhvilluar vendin e tyre.

Më 6 tetor do të fitojmë, për t’u treguar të gjithëve se ata që promovojnë më shumë rininë dhe u japin atyre një shans të vërtetë, do ta udhëheqin vendin.

Të nderuar qytetarë,

Zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë qëllimi. Ato janë mënyra e realizimit të vizionit dhe ëndrrës sonë të përbashkët për këtë vend.

A mund ta ndërtojmë një Kosovë të lirë, të barabartë, të sigurt, të drejtë, të begatë, për secilin qytetar?

A mund ta ndërtojmë një Kosovë pa korrupsion, pa nepotizëm, e me shanse të barabarta?

A mund ta ndërtojmë një Kosovë ku të rinjtë nuk na ikin, por qëndrojnë këtu, krijojnë familjen këtu, rrisin fëmijët këtu, e punojnë këtu?

A mund ta ndërtojmë një Kosovë ku nderohet lavdia e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe nuk përbuzet dhe as abuzohet me vlerat e saj?

A mund ta ndërtojmë një Kosovë ku ka zhvillim ekonomik, ku ka investime të jashtme e të brendshme, ku ka vende pune për të rinjtë, për gratë dhe burrat, për secilin që mbaron një shkollë ose ka një profesion?

A mund ta ndërtojmë një Kosovë që me zhvillimin e vet ekonomik, sundim të ligjit, imponon respektin e të huajve ndaj nesh?

A mund ta ndërtojmë një Kosovë që mbron territorin, sovranitetin, që promovon paqen, bashkëjetesën, dhe fuqizon aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian?

Ne e dërgojmë mesazhin e qartë nga këtu:

Se PO – NE, Partia Demokratike e Kosovës, do ta bëjmë këtë.

Ne dimë ta bëjmë këtë.

Ne kemi guxim dhe vizion ta bëjmë këtë.

Prandaj, zgjedhjet e ardhshme kanë të bëjnë me një pyetje të madhe:

Kush mund ta mbrojë dhe zhvillojë Kosovën?

Kush mund ta luftojë korrupsionin dhe t’i mbajë të rinjtë në Kosovë?

Kush mund ta ndryshoje ekonominë?

Kush mund ta ndalë agresionin e Serbisë kundër shtetit tonë?

Kush i ruan miqtë dhe partnerët, kush e forcon lidhjen e Kosovës me ta?

Ne do t’i bëjmë këto.

Ne dimë t’i bëjmë këto.

Ne jemi partia e lirisë, Partia Demokratike e Kosovës.

Te nderuar qytetarë,

Në dy dekada liri, dhe një dekadë pavarësi, Partia Demokratike ka udhëhequr proceset vendimtare për Kosovën.

Të tjerët, ose janë ankuar, ose vetëm na kanë shikuar dhe janë munduar të na gjykojnë.

Por, kanë bërë pak ose aspak.

Ka pasur edhe të tillë që janë përpjekur ta mohojnë dhe shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar tash e 20 vjet liri.

Edhe sot, ata nuk janë të zotët që t’u dalin ballë sfidave të shtetit.

Ose ju mungon guximi, ose zgjedhin rrugën e gabuar!

Kosovën nuk mund ta udhëheqë dikush që hyn në borxh para liderit dhe partisë, më shumë sesa para qytetarëve dhe Kosovës.

Jo ata që s’kanë guxim të marrin vendime.

Kryeministri i Kosovës duhet t’i përgjigjet vetëm popullit të Kosovës dhe nevojave te qytetarëve.

Nuk mund të ndërtohet e ardhmja për shtetin e Kosovës nga ata që dyshojnë në të, që e mohojnë identitetin e shtetit të Kosovës, nga ata qe s’kanë zemër ta çojnë lart flamurin e Kosovës.

Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që vënë në dilemë dhe cenojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që nuk kanë vullnet dhe guxim për ta luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe abuzimet me pushtetin.

Nëse duam ta luftojmë korrupsionin, gjëja e parë është ta pranojmë problemin dhe ta fillojmë ndryshimin nga shtëpia.

Sepse, të gjitha partitë e Kosovës kanë qenë dhe janë në pushtet dhe kanë bërë e po bëjnë gabime.

Por, PDK është partia e vetme që ka edhe vullnetin, edhe guximin për t’i ndrequr këto gabime.

Ne kemi një plan si ta luftojmë korrupsionin, si t’i mbajmë të rinjtë tanë këtu, si ta ndërtojmë një të ardhme.

Ne do ta formojmë një Qeveri pa aktakuza.

Një Qeveri që do të jetë e vogël në numër, por shumë efikase dhe përfshirëse në punë.

Një Qeveri me Ministra të rinj që do të punojnë për qytetarët.

Do të jetë Qeveria me më shumti të rinj ndonjëherë.

Një Qeveri që nuk do të abuzojë me taksat e qytetarëve, por do t’i mbrojë ato.

Duke lehtësuar bizneset ekzistuese dhe duke i ndihmuar ato të rejat; me një plan strategjik, të saktë dhe konkret, në përputhje me nevojat e qytetarëve, kërkesat e tregut dhe drejtimin zhvillues ekonomik.

Një Qeveri që do ta ndërtojë të sotmen më të mirë dhe një të ardhme të sigurt.

Do ta forcojmë bashkëpunimin me SHBA-në, BE dhe demokracitë  e lira, duke sjell investitorë të jashtëm, duke rritur konkurrencën dhe duke liruar shpirtin kreativ të rinisë.

Duke e luftuar korrupsionin, do të investojmë më shumë në infrastrukturë më të mirë, në krijimin e vendeve të punës, në sipërmarrësit e rinj premtues dhe në projekte inovative.

Ne do ta krijojmë një ekonomi të fortë.

Ne do të vazhdojmë ta forcojmë dhe përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe arsimor.

Ne do t’i bëjmë ëndrrat e rinisë realitet.

Por, kjo nuk është një ëndërr që mund të realizohet nga një person.

Nuk është një luftë që mund të fitohet me një ushtar.

Kjo është një luftë që na përket të gjithëve.

Ky është një vizion që mund ta bëjmë të vërtetë të gjithë së bashku, me punë të palodhur dhe me besim.

Të dashur qytetarë

Gjatë gjithë jetës sime, si shumica prej jush, unë kam punuar për Kosovën.

Asnjëherë nuk kam pasur frikë të luftoj për vendin tim.

As kur themeluam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e as tash kur ka nevojë që ta luftojmë korrupsionin dhe që ta zhvillojmë vendin tonë.

Asnjëherë unë nuk kam vepruar vetëm për realizim të ëndrrës sime.

Por, gjithmonë në bazë të një dëshire dhe një ëndrre të përbashkët të kombit tonë.

Edhe sot, ëndrra jonë, vizioni ynë, nuk ka të bëjë vetëm me 6 tetorin.

Është shumë më e madhe se kaq.

Shumë kohë para se ta dija se kishte zgjedhje, vendosa të veproj kundër fenomenit të korrupsionit dhe mashtrimit me listat e veteranëve.

Shumë kohë para se ta dija se do të kishte zgjedhje, vendosa t’i largoj nga detyra këdo që kishte aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm.

Sepse, besova që për të bërë ndryshimin, duhet që ndryshimin ta fillojmë nga vetja.

Partitë tjera më shikuan, përfolën dhe akuzuan, por ju po e shihni se efekti po arrihet.

Si standard i ri etik në politikë që po vendoset nga PDK, në institucione nuk do të ketë njerëz me aktakuza.

Shumë kohë përpara se ta dija se do të kishte zgjedhje, promovova të rinj në pozita udhëheqëse në Qeveri dhe PDK, duke ua dhënë shansin atyre.

Ata e dëshmuan veten. Shpëtuan miliona euro nga Buxheti i Kosovës, duke e luftuar korrupsionin dhe i kthyen ato në të mira për qytetarët.

Të dashur qytetarë,

Bashkë-partiakë të nderuar,

Unë i kam hyrë garës për Kryeministër me një qëllim të qartë:

Kosova nuk guxon të kthehet pas.

Kosova nuk guxon të ndalet.

Kosova nuk guxon të qëndrojë e izoluar.

Kosova duhet të ecë përpara.

6 tetori është shans që nuk guxon të humbet.

Unë e di se shumë qytetarë janë zhgënjyer nga politika dhe sot nuk besojnë në të.

Unë e di arsyen. Dhe, e di përgjigjen. Na duhet përfundimisht një kod etik në politikë.

Na duhet më shumë nder, besim dhe guxim!

Dhe ju siguroj se me një politikë të mirë, të gjitha sfidat kalohen, të gjitha problemet zgjidhen dhe ëndrrat e rinisë bëhen realitet.

Kam luftuar dhe do të luftoj me gjithë shpirt, bashkë me ju.

Unë nuk ju kam gënjyer asnjëherë, edhe pse ndoshta s’kam ditur ta them gjithnjë si duhet të vërtetën.

Unë kam hyrë në luftë për Kosovën.

Sot jam në politikë për Kosovën dhe vetëm për Kosovën.

I përgjigjem vetëm qytetarëve, kombit tim dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nuk do të ndalem deri në fund në luftën time për një Kosovë perëndimore, të zhvilluar, pa korrupsion, me ekonomi të fuqishme dhe anëtare e barabartë e familjes europiane.

Prandaj, për të mirën e Kosovës, për të mirën e fëmijëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve, ju thërras të gjithëve që të bëhemi bashkë.

PDK është familja juaj.

Është zëri juaj.

Është forca juaj.

Dhe, unë si Kryeministër i Kosovës, jam gati që bashkë me ju, ta bëjmë më të mirën për atdheun tonë.

Ta ndërtojmë të ardhmen.  Për ty. Për shtetin.

Urime…. Fitore… /Lajmi.net/

Comments