Vetëvendosje dhe LDK rrezikojnë ta çojnë vendin drejt ngërçit politik

86

Kanë kaluar gjashtë ditë që nga shpalla e rezultateve nga KQZ dhe ende nuk është arritur një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

MÖBEL THEMA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 27 nëntor ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

Mirëpo, kanë kaluar gjashtë ditë që nga shpallja e rezultateve dhe përreth një muaj që kur Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë duke bërë takime për të arritur  një marrëveshje për qeverisjen e ardhshme dhe akoma nuk është arritur një epilog në këtë.

Gjatë së hënës, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, janë takuar mirëpo, nuk u arrit asnjë marrëveshje përfundimtare për bashkëqeverisje.

Pas takimit, Kurti deklaroi se ka avancim në negociatat me me LDK-në, por jo edhe marrëveshje përfundimtare.

“Kur të kemi marrëveshjen do flasim gjerë e gjatë. ne negociatat tona avancim ka por nuk ka marrëveshje. Kur ta kemi marrëveshjen e plot do ta shpalosim gjerë e gjatë. Këtu përfundon takimi, unë do të jem në kontakt me Mustafën”, deklaroi Kurti të hënën, raporton lajmi.net.

Në anën tjetër, Mustafa deklaroi se ka pajtueshmëri sa i përket programit.

“Patëm një bisedë përmbajtësore. Ne kemi pas pajtueshmëri sa i përket programit. Kemi edhe çështjet tjera që janë biseduar sot. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion. Ka marrëveshje që të punojmë përpara. Dallimet tona do ti tregojmë kur të përfundojnë bisedimet”, deklaroi Mustafa.

Mirëpo, edhe pse nuk është arritur marrëveshje për koalicion qeverisës në mes të këtyre dy partive, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh që pas certifikimit të rezultateve.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka sqaruar për lajmi.net, procedurën e konstituimit të Kuvendit.

Ai ka thënë se maksimumi 30 ditë pas certifikimit të rezultateve duhet të konstituohet legjislatura e re dhe thirrja për konstituim fillimisht duhet të bëhet nga presidenti i vendit.

“Kushtetuta dhe rregullorja e punës së Kuvendit precizon që afati prej 30 ditësh brenda së cilit duhet të thirret mbledhja konstituive e Kuvendit duhet të bëhet nga ana e presidentit që nënkupton se mbledhja si e tillë duhet të thirret brenda afatit prej 30 ditësh mirëpo, nuk ka dispozita të cilat përcaktojnë për çfarë periudhe kohore duhet të përmbyllet mbledhja. Duke qenë se tashmë kemi pasur gjatë proceseve të kaluara zgjedhore raste kur mbledhja konstituive nuk është përmbyllur me javë e muaj të tërë, kemi pasur një aktgjykim nga ana e Gjykatës Kushtetuese e cila ka vlerësuar që konstituimi i Kuvendit llogaritet si i plotë vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit që nënkupton që seanca konstituive mbase edhe mund të thirret brenda afatit prej 30 ditësh nga ana e presidentit apo në raste të tjera edhe nga vet deputetët e Kuvendit, pra nëse një gjë të tillë nuk e bën presidenti, nënkupton vetëm thirrjen vetëm për fillimin dhe mbajtjen e mbledhjes”, sqaroi Cakolli.

Ai po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se procesi i përmbylljes së konstituimit do të duhej të përmbyllej që në ditën e thirrjes së seancës konstituive.

Cakolli po ashtu ka bërë të ditur se ekzistojnë të gjitha kushtet që presidenti të thërras seancën konstituive.

“Ndërsa periudha brenda së cilës duhet të mbyllet procesi i konstituimit nuk është e përcaktuar ndonëse nëse merret parasysh fryma kushtetues e funksionimit të institucioneve, do të duhej që konstituimi të përmbyllej që në ditën e thirrjes së kësaj mbledhje. Megjithatë unë besoj që kjo nuk do të paraqes problem për shkak se ekzistojnë tashmë kushtet që presidenti të thërras një mbledhje të tillë brenda afatit i cili ka filluar të rrjedhë që nga data 27 nëntor kur është bërë certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe në mbledhjen në fjalë është detyrë e grupit më të madh parlamentar që ka dalë fitues nga procesi zgjedhor që të nominojë një kandidat për të qenë kryetar i Kuvendit dhe pas zgjedhjes së të cilit vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve që kompleton në tërësi procesin e konstituimit, duke i hapu më pastaj rrugë edhe rrjedhjes së afateve për themelimin e qeverisë nga subjektet politike në fjalë”, theksoi Cakolli.

Por, a ekziston një rrezik që vendi të shkojë në zgjedhje pas konstituimit të Kuvendit, duke e marrë parasysh që Vetëvendosje dhe LDK akoma nuk kanë arritur që të nënshkruajnë një marrëveshje qeverisësë, Cakolli edhe për këtë ka sqaruar procedurat kushtetuese.

“Në bazë të dispozitave që janë në fuqi pas konstituimit të Kuvendit, presidenti duhet që të t’ja jap mandatarit në këtë rast përfaqësuesit apo të nominuarit nga subjekti që ka dalë fitimtari në këto zgjedhje, në këtë rats Lëvizjes Vetëvendosje të drejtën që të sjell në Kuvend përbërjen e re. Kandidati në fjalë është i obliguar që brenda një afati prej 15 ditësh nga marrja e nominimit të paraqes në Kuvend përbërjen e re të kabinetit qeveritar e cila të paktën duhet t’i sigurojë 61 vota. Në rast se nuk arrihet që të sigurohet ky numër i votave, atëherë presidenti duhet që sipas procedurës së njëjtë të përcaktojë një kandidat tjetër i cili duhet që në frymën e njëjtë të procedurës të sjell përbërjen e re të qeverisë. Dhe në vetëm në rast të dështimit edhe në herën e dytë të zgjedhjes së Qeverisë, presidenti është i obliguar që brenda një afati prej 40 ditësh që nga dështimi të shpallë zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpallje së tij”, ka sqaruar Cakolli për lajmi.net.

Theksojmë se Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pasi që kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve kanë nxjerrë fitues Lëvizjen Vetëvendosje me 221 mijë e 1 vota pao 26.27 për qind, kurse e dyta është radhitur Lidhja Demokratike e Kosovës, me 24.54 për qind apo 206 mijë e 516 vota.

Në vendin e tretë në bazë të rezultateve përfundimtare është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 178 mijë e 637 vota apo 21.23 për qind. /Lajmi.net/

Comments