Ziadin Sela në Drenovec: Rruga Tetovë – Jazhincë dhe Teleferiku në Kodrën e Diellit bëhen realitet me programin tonë

428

Bartësi i listës së kandidatëve për deputetë të Koalicionit ASH – AAA në njësinë e gjashtë zgjedhore, Ziadin Sela, bashkë me kandidatët tjerë të kësaj zone, realizuan takim me banorët e Drenovecit të Tetovës. Para këtyre banorëve, Sela sqaroi se si Programi “Shtet për të Gjithë” do të arrijë që të sjellë 500 milionë euro investime për revitalizimin e vendbanimeve shqiptare. Sipas tij, koalicioni fitues “Tash është Koha”, do të dijë të mbrojë tatimet që paguajnë qytetarët shqiptarë dhe këto do t’i kthejë në investime.

“Rruga Tetovë – Jazhincë është rrugë në të cilën përditë qarkullojnë mbi 9 mijë automjete. Ndërsa investimet shkojnë në rrugë ekspres dhe autostrada në Maqedoninë Lindore, ku mesatarja e qarkullimit është vetëm 3 mijë makina në ditë. Me 9 mijë makina në ditë që qarkullojnë e që paguajnë tatim dhe akcizë për karburantin që e harxhojnë, bëhet kjo rrugë. Po dikush na vjedh paratë. Ne kemi pasur përfaqësues që nuk e kanë mbrojtur tatimin e shqiptarit atje”, theksoi Sela.

Ziadin Sela foli edhe për Kodrën e Diellit dhe degradimin e saj nga pushteti i deritanishëm. Kjo qendër turistike me Programin “Shtet për të Gjithë”, do të revitalizohet dhe do jetë një ndihmë e madhe për malësinë dhe tetovarët në përgjithësi, pasi e njëjta do të mbajë gjallë ekonominë në këtë rajon.

“Ne do të jemi garant se shumë shpejtë do të revitalizohet edhe qendra turistike e Kodrës së Diellit. Teleferiku do të jetë realitet shumë shpejtë, për Tetovë dhe gjithë shqiptarët sepse ajo zonë do të duhet patjetër të jetësohet, që të mbajë malësinë me vende pune, por edhe Tetovën me zhvillim ekonomik”, theksoi mes tjerash Ziadin Sela para banorëve të Drenovecit në Tetovë.

Më 15 korrik duke rrethuar numrin 5 në fletën e votimit, qytetarët do të votojnë për ndryshimin, për shtet të barabartë për të gjithë, për zhvillim ekonomik dhe për drejtësi.

Comments