Rama: Kosova për luftë elektorale po humb të gjitha kreditet ndërkombëtare
Gjatë prezantimit të programit qeverisës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka lënë pa përmendur Ballkanin e Hapur dhe faktin që Kosova nuk është dakord.
Rama tha me bindje se askush nuk duhet t’i japë Shqipërisë leksione dhe për Kosovën kërkoi që të kenë bashkëpunim dhe të trajtojnë me respekt mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur. Sipas tij, nuk mund të ikë një 10 vjeçar tjetër duke “thurur tym”.
Ndër të tjera, përmendi arsyet përse Ballkani i Hapur vlen për Shqipërinë ndërsa për Serbinë, tha se duhet të kërkojë falje për krimet e luftës, por kjo nuk arrihet me Facebook, por duke rënë dakord për gjëra për të cilat janë në dobi.
“Ballkani i hapur nuk është një lojë e Serbisë, nuk është as konspiracion rus apo kinez për të ringjallur Jugosllavinë, siç nuk është asesi një devijim nga rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo korniza e Brukselit e Berlinit, jo të gjitha këto janë përralla me gogol për një luftë nga kolltuku e Facebook me një armik të deridjeshëm të cilin Kosova, Shqipëria e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bomba e pushkë, sot e më shumë se 20 vjet përpara fal SHBA-ve dhe aleatëve ndërkombëtar dhe fal luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Foshnjat që lindën në atë luftë dhe sot po bëhen djem dhe vajza për t’u martuar nuk ia kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë, as në Prishtinë, as në Tiranë. Nuk e kanë borxh që Kosova e nxitur edhe nga Tirana për politika që nuk kanë të bëjnë fare me kombin, dhe perspektiven e shqiptarëve, por kanë të bëjnë vetëm me luftën elektorale, këtu dhe atje, t’i humbas të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak, me dhimbje, me punë diplomatikë”, tha ai.
Sipas tij, Ballkani i Hapur është pjellë e Procesit të Berlinit për lëvizjen e njerëzve, mallrave e shërbimeve.
“Për Kosovën ne mund të flasim jo të vendosim. U takon autoriteteve të Kosovës të marrin vendime të cilat ata i gjykojnë si duhet për Kosovën. Ndërsa neve na takojnë thjesht t’i respektojmë ato, por e njëjta gjë duhet të vlej edhe për anasjelltas. Për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk i pëlqejnë, bujrum, t’i diskutojmë vëllazërisht, por jo t’i shpallim si tradhtar, ruso-kinezsi filoserb apo nostalgjiko jugosllav ata që mendojnë ndryshe duke luajtur harushë me dhimbjen e njerëzve, të përvëluar nga lufta të kësaj dhe asaj arme që pushkët i nxjerrin vetëm në ekran dhe Facebook për të sharë në emër të patriotizmit që vetëm patriotizëm nuk është”, tha ai.
Ballkani i Hapur, sipas Ramës, është i njerëzve që nuk duan të presin me orë në kufi, është i fermerëve dhe këtu flas për fermerët shqiptarët që iu thashë janë sot eksportuesit më të mëdhenj të perimeve, të dytët të frutave.
“Me rrugën e lehtë të luftës imagjinare, me Facebook, në kolltuk, me foltore me ekrane, duke bërë politikë të jashtme me politikën e brendshme ka vetëm rrënim dhe izolim. Megjithatë, biem apo jo dakord për Ballkanin e Hapur, dua që me Kosovën të trajtojmë këtë mosdakordësi me respekt. Me shumë respekt, Shqipërisë nuk i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen, ashtu siç duhet të respektohen vendimet e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se Ballkani i Hapur është i punëtorëve.
“Është i atyre që duan të punojnë, të gjejnë një vend pune më të mirë dhe nuk duan që të merren me viza, dokumenta e leje qëndrimi, është i studentëve, i pedagogëve, i tregjeve tona, ne e kemi të pasur shumë këtë tregun politik këtu ndërsa tregun prodhues e kemi të vogël. Ballkani i Hapur është për kulturat tona dhe si ushqim për paqen mes fëmijëve, Ballkani i Hapur i shteteve që është i Evropës së Bashkuar që hyn në një proces të ri simetrik me procesin qe duhet të hynë kur të bëhen pjesë e katër lirive. Përmes një procesi bashkëpunimi brenda rajonit, të kenë nxjerrë disa konkluzione, ku është tradhtia, ku është asimilimi, ku është dreqi? A po… do të përfitojë Serbia se është më e madhe. Po qe puna, Serbia përfiton më shumë me Ballkanin e mbyllur se e merr të gjithë mallin nga Kosova. Është e vërtetë, Serbia është më e madhe me ne të marrë veç e veç dhe mos të harrojë kush se shqiptarët së bashku, serbët janë vetëm njëri nga dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit. Por konvergjenca shqiptare dhe brutalisht, një fjalë që e harrojnë sapo fitojnë zgjedhjet nuk ndodh kurrë përveçse duke zgjeruar shtigjet e paqes, duke marrë njohjen e Kosovës nga Serbia si kulmim i një procesi paqeje dhe duke nxitur fuqizim të faktorit shqiptar si më i përkushtuari euro-atlantik në Ballkan. A duhet të kërkojë falje Serbia për krime lufte? Po, nuk e luan topi. Po si arrihet tek kërkesa e faljes? Duke u izoluar prapa barrikadës së një lufte imagjinare apo duke rënë dakord për gjëra për të cilat janë në dobi dhe të një diçkaje tjetër që është faktorizimi ndërkombëtar shqiptar si popull i përkushtuar ndaj paqes se si i tillë kombi shqiptar ka fituar dhe nëse nuk paraqitet si i tillë është i detyruar të humbasë”, tha ai.