”Vendimi i Haradinajt për drejtorin e ri të AKI-së do të shfuqizohet nga Kurti”

Njëri nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka marrë votat e mjaftueshme për deputet, Mefail Bajqinovci ka reaguar pas vendimit të kryeministrit në Detyrë Ramush Haradinaj, për emërimin e Kreshnik Gashi, në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.
Ai ka shkruar në Facebook se kapja e institucioneve të sigurisë po vazhdon.“PDK dhe AAK i kapin brutalisht dy institucionet e sigurisë siç janë AKI dhe Inspektoriati i AKI-së duke i emëruar eksponentët e vet në pozita kyqe. Ish- sekretari i MPJ-së Kreshnik Gashi në kohën kur Hashim Thaçi ishte ministër i jashtëm u emërua drejtor i AKI-së. Burim Ramadani zyrtar i AAK-së emërohet Kryeinspektor i AKI-se. Kapja e institucioneve me njerëz partiak po vazhdon. Këto vendime do të zhvlerësohen me ardhjen e qeverisë Kurti. BOLL MA”, ka thënë ai. Përndryshe, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me presidentin, Hashim Thaçi, sot ka emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.Haradinaj ka shkruar në Facebook se profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së./KosovaPress/