Heroinë dhe armë, prangosen dy persona në Tiranë

182

 

Pasditen e së martës, përmes një konference për shtyp nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, forcat blu kanë bërë të ditur detajet e një operacioni antidrogë të koduar “Summer 2016”, si pasojë e të cilit janë arrestuar dy persona, dy të tjerë janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar 5.1 kg lëndë narkotike e llojit heroinë.

Në prangat e policisë kanë përfunduar shtetasit Fadil Bami, lindur e banues në Nikël të Krujës, si dhe Eduart Gjata, 39 vjeç, banues në Tiranë, të cilët akuzohen për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, si dhe “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”.

Operacioni është finalizuar rreth orës 15:30 të kësaj të marte, ndërsa hetimet kanë qenë intensive përgjatë dy muajve të fundit. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, seksioni për hetimin e narkotikëve dokumentoi veprimtarinë kriminale. Nga hetimet rezultonte se shtetasit Fadil Bami dhe Eduart Gjata bashkëpunonin me njëri-tjetrin në shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht heroinë, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve dhe Unazës së Re në kryeqytet.

Autorët e dyshuar mbaheshin në vëzhgim nga agjentë të operacioneve speciale dhe antidrogës, teksa janë arrestuar në një lokal në zonën e ish-Parkut, në momentin që po kryenin shkëmbimin e shitjen e lëndës narkotike. Nga kontrolli i ushtruar në çantën e që kishte njëri prej tyre me vete u konstatuan 10 pako të mbështjella me natriban, me ngjyrë kafe, dhe qese plastmasi transparente, që përmbanin lëndën narkotike të dyshuar heroinë.

Moebel THEMA

Nga sa bën të ditur policia, vlera e lëndës narkotike të sekuestruar në kuadër të këtij operacioni në tregun europian shkonte në rreth gjysmë milioni euro.

Por, kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e shtetasit Fadil Bami, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike dhe dy krëhëra me fishekë, sikurse edhe një automjet tip “Volkswagen”.

Edhe shtetasit e shpallur në kërkim janë të identifikuar nga ana e policisë, por emrat e tyre nuk janë bërë publik për shkaqe hetimore.

/ Top Channel

 

Comments