15 tentime, 15 dështime: Një muaj nga fillimi i seancës konstituive, sot episodi i 16-të

67
fresco

Sot bëhet një muaj prej fillimit të seancës konstituive për legjislaturën e nëntë.

Nga 15 prilli kur ka filluar kjo seancë, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur 15 herë për konstituimin e institucionit më të lartë në vend dhe nuk ia kanë arritur. Rezultat i këtij përpjekjeve është zero.

Ata sot do të bëjnë përpjekjen e radhës për përfundimin e kësaj seance, por pritjet janë minimale për ndonjë rezultat pozitivi.

Kjo do të jetë hera e 16-të që deputetët do të shkojnë në sallën e Kuvendit, duke e ditur se në mungesë të kuorumit kjo mbledhje brenda pak minutave do të ndërpritet.

Në vazhdimin e kësaj seance që pritet të fillojë në ora 10:30, pritet një reprizë e përpjekjeve paraprake.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pritet sërish të bëjë përpjekje për ta imponuar votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë.

Kjo mënyrë e votimit po kundërshtohet nga PDK, LDK dhe AAK.

midle

Meqenëse VV-ja as për këtë komision nuk po arrin t`i marrë votat e nevojshme, pas dështimit të votimit, kryesuesi po e mbyll seancën.

Një veprim i tillë po kritikohet nga partitë e deridjeshme opozitare, duke thënë se kryesuesi po e shkel skenarin e përgatitur nga sekretaria e Kuvendit.

Para fillimit të kësaj seance partitë politike kanë bërë me dije se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre.

VV-ja ka treguar që sërish kandidate për kryetare të Kuvendit do të jetë deputetja Albulena Haxhiu.

Deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se kjo parti nuk e ka ndryshuar propozimin.

“Nuk është e rëndësishme se kush do ta ushtrojë pozitën e kryeparlamentarit, por kjo pozitë do të ushtrohet nga përfaqësues i LVV-së sepse është e drejtë e jona. Nuk mund që të funksionojmë në bazë të asaj se i pelqen apo jo PDK-së e LDK-së. Ne konsiderojmë që Haxhiu është personi adekuat dhe vazhdon edhe me tutje të jetë kandidate e jona”, ka thënë ajo për emisionin “Politico” në Kanal 10.

Kurse, partitë tjera kanë bërë me dije se nuk do ta votojnë për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiun.

PDK-ja dhe AAK-ja ka treguar gatishmërinë e tyre për të votuar për kryetar të Kuvendit një kandidat tjetër të VV-së. Por, partia e Albin Kurit nuk ka treguar gatishmëri për të ndryshuar propozimin.

Comments