Ish-drejtoresha e Shkollës në Zabel të Ulët të Drenasit, aktualisht mësuese në këtë shkollë, Rrahime Buçinca, konfirmohet zyrtarisht se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi të kësaj shkolle.

Një rast i rrahjes së një nxënësi në shkollën fillore në Zabel të Ulët të Drenasit nga mësuesja e kësaj shkolle konfirmohet të ketë ndodhur.

Në videon e postuar në rrejtët sociale, shihet se një mësuese e kësaj shkolle godet në kokë njërin nga nxënësit.

Mësimdhënësja është xhiruar derisa godet një nxënës që është i ulur në bankën e parë. Ajo në fillim godet nxënësin me një fletore, më pas me grushta në kokë. Nxënësi shihet se i ka vendosur duart mbi kokë dhe provon të mbrohet nga goditjet.

Ushtrimin e dhunës mbi nxënësin nga mësuesja Buçinca, e cila ishte edhe drejtoresh e kësaj shkolle e konfirmon për Rtklive,vetë drejtori i shkollës, Sherif Bajrami.

Ai, nuk e ka mohuar ushtrimin e dhunës mbi nxënësin dhe sipas tij, rasti do të procedohet në komision disiplinor dhe se ndaj mësueses do të merren të gjitha masat.” Sigurisht se do t’i jipet vërejtje dhe rasti do të shkojë në komision disiplinor”, tha Bajrami për Rtklive.

Drejtori i shkollës nuk ka qenë i njoftuar paraprakisht për rastin, por vetëm pas publikimit të videos në rrjetet sociale dhe media, ai është njoftuar nga mediat.

“Mësuesen e konsultova dhe ajo e pranon se e ka rrahur nxënësin, por jo që i ka shkaktuar ndonjë lëndim fëmijës. As nxënësi, apo prindërit nuk janë ankuar në lidhje me këtë rast. Sapo e konsultova edhe nxënësin, i cili e pranon  se është rrahur pak me ditar, por jo të ketë pasur ndonjë dhimbje në kokë”, tha drejtori Bajrami.

Sipas këtij të fundit, nxënësi nuk është problematik, por siç tha ai, “është i lëvizshëm, dhe ka penguar mbarëvatjen e mësimit”.

Drejtori Bajrami, tregon se ajo ëshë mësuese me përvojë disa vjeçare, dhe siç deklaron ai, “nuk e ka pritur që një mësuese e tillë të bëjë veprime të tilla të ushtrimit të dhunës.

“Bash prej saj se kisha prit kurrë, se ajo është e vjetër, por, ja që paska ndodhur”, tha ai për Rtklive përmes telefonit.

Shikojeni videon e publikuar në rrjete sociale dhe media: