20 vjet burg për Murat Dernjanin, kush është anëtari i ISIS-it që u dënua edhe në vitin 2019 për terrorizëm
Anëtari i grupit terrorist i shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim nga autoritetet në Kosovë, Murat Dernjani, sot u dënua edhe për një vepër tjetër të rëndë. Gjykata ia shqiptoi 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit, raporton Klankosova.tv.
Shpallja e aktgjykimit u bë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në një seancë të mbyllur, ku u konstatua se dëshmitë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, përfshirë ato të lexuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë qenë konsistente dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Kush është Murat Dernjani?
Në vitin 2019, e njëjta gjykatë e kishte dënuar me 5 vjet burgim, nën akuzat për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.
Dernjani e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste, me të cilën e ngarkonte Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Sipas dosjes, ai akuzohej se gjatë vitit 2013 kishte udhëtuar drejt Turqisë dhe më pas i është bashkuar ISIS-it.
Në aktakuzë thuhej se me qëllim që t’i bashkëngjitet grupeve terroriste në Siri, nga muaji mars 2013, me dëshirë, me vetëdije dhe me paramendim ka udhëtuar përmes rrugëve të ndryshme për në qytetin e Stambollit në Turqi, transmeton Klankosova.tv
“Pas një kohe së bashku me bashkëshorten A.D., dhe djalin e tij, janë vendosur në Kilis në juglindje të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, prej nga ilegalisht arrin në qytetin Gaziantep, pastaj i është bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, organizatë kjo, që vepron në Siri dhe Irak”.
Bazuar në aktakuzën që ishte ngritur ndaj tij, ai ishte pajisur me armë dhe municion dhe ka qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, e më pas është tërhequr nga këto organizata dhe i është dorëzuar autoriteteve turke, për t’u kthyer më pas në Kosovë. /Klankosova.tv