24 vjet nga Marrëveshja e Ohrit – ku ishin e ku janë shqiptarët?
Nga janari e deri në fillim të gushtit 2001, Ushtria Çlirimtare Kombëtare i fitoi thuajse të gjitha përballjet me Armatën e Maqedonisë. Forcave maqedonase nuk iu kryen punë as armatimet e trashëguara nga ish-Jugosllavia e as ato të blera në Ukrainë e Greqi. I kotë, fare i kotë, doli të ishte edhe programi i mobilizimit të përgjithshëm dhe krijimi i grupeve paramilitare maqedonase. Pas Haraçinës, kryengritësit shqiptarë e patën si në shuplakë dore Shkupin dhe marrja e tij ishte çështje orësh. Sipas ekspertëve, gazetarëve e diplomatëve të huaj, UÇK-ja ishte larg më e fortë se Armata maqedonase. E ndërmjetësuar nga ShBA dhe BE – nën mbikëqyrjen e amerikanit James Pardew dhe francezit François Léotard – Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha fund luftës disamujore.
Col Mehmeti
13 gusht 2025 – Në fillim të korrikut 2001, Ushtria Çlirimtare Kombëtare mori nën kontroll Haraçinën. Nga aty hiç më larg se 10 kilometra shquante Shkupi dhe lagjet e tij të para ishin brenda rrezës së zjarrit nga predhat.
Madje, luftëtarë të UÇK-së ia dolën mbanë të hynin edhe në disa pjesë të kryeqytetit.
Ushtria e Maqedonisë me mezi mbahej në këmbë dhe, megjithë mbështetjen ushtarake nga Ukraina me helikopterë e artileri, nuk shënoi ndonjëfarë epërsie.
Sado i pajisur më mirë se UÇK-ja, personeli ushtarak maqedonas ishte thjesht i pagjasë përballë një guerile agjile që përbëhej nga mijëra shqiptarë vendi e vullnetarë nga Kosova e Shqipëria që rrokën armët.
UÇK në epërsi të plotë kudo e kurdo
Me gjithsejt gjashtë brigada, Ushtria Çlirimtare Kombëtare nga 22 janari 2001 në Tearcë e deri më 10 gusht në Luboten doli e fituar në shumicën e ballafaqimeve.
Në varganin e disfatave të vazhdueshme, Qeveria e asokohshme e Maqedonisë u detyrua të shpenzonte 5.4 për qind të GDP-së për të blerë armatime, përfshirë edhe helikopterë e avionë.
Por as këto përforcime nuk i hynë në punë për shkak se ushtrisë maqedonase i mungonte një doktrinë koherente e sigurisë, madje nuk kishte as një komandë efektive
“Kryengritësit që poshtëruan një ushtri”
Këto suksese të vazhdueshme të shqiptarëve i pasqyroi korrespodentja e San Francisco Chronicle, Juliette Terzieff.
Në artikullin “Rrebelët poshtërojnë ushtrinë maqedone”, të shkruar më 13 qershor 2001, ajo e merrte si shembull rastin e Vaksincës.
Kur ushtria maqedonase me sforcime të mëdha arriti të hynte në fshat, UÇK-së iu deshën më pak se tre ditë që ta merrte sërish në zotërim atë.
Kundrejt 5 mijë luftëtarësh shqiptarë, ushtria e Maqedonisë kishte një personel aktiv prej 10,500 ushtarësh.
Armatimi i saj qe kryesisht i prodhimit sovjetik, përfshirë tankse 150-T, 100 autoblinda BTR-70 e M-113, ashtu sikurse edhe artileri kalibrash 76mm, 105mm, dhe 152mm.
“Arsenali i tyre nuk është gjë prej gjëje”, pati thënë një diplomat i huaj në Shkup.
Përballë zhdërvjelltësisë e lëvizshmërisë së kryengritësve shqiptarë në terrene malore, ushtria maqedone nuk arrinte as të depërtonte andejpari me tankse dhe mjete të koracuara.
Këmbësoria e saj ishte aq e papërvojë për luftë sa edhe komandantët ngurronin t’i yshtnin ushtarët e thjeshtë për luftë.
Gjithçka bënte ushtria maqedone ishte granatimi nga larg, por që nuk e sprapsi fare UÇK-në.
Lund: UÇK-ja, zotëruesja de facto e vendit
Michael Lund, studiues i konflikteve në botë, thotë se ushtria maqedonase thjesht e kishte të pamundur të matej me kryengritësit shqiptarë.
Gjendjen e saj nuk e ndihmoi edhe kur qeveria e kohës nismoi një program mobilizimi kombëtar, shpërndau armë në popullatë e, madje, rekrutoi edhe grupe paramilitare.
“Për shkak të këtyre dobësive, ARM (Armata e Republikës së Maqedonisë – v.j) thelbësisht qe e pazonja për ta frenuar UÇK-në, dhe UÇK-ja mund ta sillte konfliktin edhe brenda vetë Shkupit. Aty, maqedonasit etnikë ishin më të shumtë se shqiptarët, por ishin të rrethuar nga fshatra me mbizotërim shqiptar. Kontrolli i kryeqytetit nga UÇK-ja dhe viseve rrotull, fshatrave shqiptare nga Gostivari, përmes Tetove e deri në Shkup, dhe i krahinave në Maqedoninë perëndimore e veriore të cilat tashmë i kontrollonte, do të ishin de facto pushtim i vendit”, shkruan Land në një studim mbi luftën e vitit 2001.
Madje, sipas tij, këto rrjedha fare lehtë mund të përftonin rrethanën që UÇK-ja të bëhej ushtria kryesore e Maqedonisë, kurse vetë Armata e Maqedonisë me grupet paramilitare të katandisej në veprimtari guerile.
11 orë bisedime të ngjeshura
Sidoqoftë, ndërhyrja perëndimore bëri që të dyja palët të jepnin sinjale për t’u marrë vesh paqësisht.
Pas negocimeve të ngjeshura, katër partitë kryesore politike në Maqedoni, dy maqedone (VMRO-DPMNE dhe SDSM) e dy shqiptare (PDSh dhe PPD), u takuan në Ohër me synim që t’i bëhej çare luftës e të pushonin luftimet.
Më 8 gusht 2001, pas plot njëmbëdhjetë orësh bisedimesh të pandërprera dhe me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së François Léotard dhe atij të ShBA-së James Pardew, përfaqësuesit e mbledhur në Ohër arritën marrëveshjen për ndryshime kushtetuese që do ta përmirësonin statusin e shqiptarëve në shtet.
8 parime për sovranitet e paqe
E njohur si Marrëveshja Kornizë e Ohrit, më 13 gusht, në Shkup, mbi tekstin e saj vunë bojën e nënshkrimit presidenti i asokohshëm maqedonas Boris Trajkovski, kryeministri Ljubço Georgievski, kreu i PDSh-së Arbën Xhaferi dhe ai i PPD-së Imer Imeri.
Ujdia e Ohrit i dha fund luftës midis UÇK-së dhe Armatës së Maqedonisë, duke sheshuar rrugën për një kornizë të quajtur konsociacionale (formë e ndarjes demokratike të pushtetit përgjatë linjave etnike e gjuhësore).
Dokumenti, parasëgjithash, përfshinte kompromisin mes dorëzimit të armëve e njohjes së sovranitetit dhe integritetit të shtetit dhe dhënies së koncesioneve për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve.
Kësisoj, plot kompetenca të pushtetit qendror kalonin te administrata lokale; provizionet parashihnin një ‘shumicë të dyfishtë’ në Parlament, dhe në fund fare marrëveshja i hapte rrugën që të zyrtarizohej cilado gjuhë e folur nga më shumë se 20 për qind e popullatës.
Si tërësi, Marrëveshja e Ohrit përbëhej nga tetë parime.
Në Parimin e Parë, principet themelore përfshinin ndalimin e përdorimit të dhunës për të arritur qëllime politike; ruajtjen e integritetit territorial dhe karakterit të njësishëm të shtetit; ruajten e karakterit shumëetnik të shoqërisë; llogaridhënien demokratike dhe zhvillimin e vetëqeverisjes lokale.
Parimi i Dytë merrej me pushimin e armiqësive. Parimi i Tretë specifikonte zhvillimin e qeverisjes së decentralizuar, përfshirë rishikimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Parimi i radhës, ai i Katërt, rregullonte përfaqësimin jodiskriminues dhe të barabartë të bashkësive në të gjitha trupat qendrorë e lokalë, përfshirë edhe përfaqësimin brenda policisë. Ajo siguronte edhe votimin me shumicë të dyfishtë për zgjedhjen e një të tretës së gjykatësve kushtetues, ombudspersonit dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.
Parimi i Pestë stipulonte sistemin për votimin me shumicë të dyfishtë, sidomos për ligjet që kishin të bënin me kulturën, përdorimin e gjuhës, arsimit, dokumenteve personale, simboleve, zgjedhjeve lokale dhe kufijve të komunave.
Parimi i Gjashtë rregullonte përdorimin e gjuhës në arsim dhe trupa publikë, ku më e rëndësishmja ishte garancia që gjuha amtare për arsim fillor, të mesëm e unviersitar të ishte e folur nga së paku 20 për qind e popullatës, kriter të cilin e plotësonte shqipja.
Parimi i Shtatë merrej me përdorimin e emblemave të komuniteteve kundrejt asaj të Maqedonisë në institucione lokale, kurse ai i fundit, Parimi i Tetë, shenjëzonte kohën për zbatimin e marrëveshjes.
Nënshkrimi i Marrëveshjes dhe pastajshmëria e saj nuk qe e lehtë për asnjërën palë. Ato patën plot pakënaqësi e të dyja akuzuan përfaqësuesit e vet për koncesione.
Sidoqoftë, për vëzhgues të paanshëm perëndimorë, Marrëveshja e Ohrit i siguroi Maqedonisë mbijetesë si shtet sovran dhe paqe si shtet i ndërtuar mbi parime civike. /Nacionale/

