3 vite nga sulmi i armatosur në Kumanovë

435

Sot bëhen 3 vite nga sulmi i armatosur në Lagjen e trimave në Kumanovë ku si pasojë jetën 8 policë të MPB-së ndërsa u vranë 10 anëtarë të grupit të armatosur. lidhur me këtë rast për veprën penale terrorizëm u akuzuan 38 persona, pas një maratone seancash rasti mori epilog vitin e kaluar.

Nga 38 personat e akuzuar, 4 janë liruar, 8 u dënuam me burgim të përjetshëm ndërsa të tjetër me 746 vjet burg. Me burg të përjetshëm u dënuan: Andi Krasniqi- komandant Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Sami Ukshini i njohur si komandant Sokoli u dënua me 40 vjet burg. Po me 40 vjet burg u dënuan edhe Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Enver Hoxha-Kllajn, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Rufki Dogani, Betim Kabashi, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica dhe Genci Sefaj. Gjashtë u dënuan me nga 20 vjet burg, ndërsa të tjerët me nga 18, 14, 13 dhe 12 vjet heqje lirie. Shqiptimin e dënimit nuk e pritën të gjithë të akuzuarit, pasi paraprakisht lëshuan sallën duke mohuar akuzat për terrorizëm. Ata madje brenda sallës së gjyqit ishin ngritur në këmbë duke kënduar himnin kombëtar, brohoritnin “UÇK UÇK”.

Procesi gjyqësor për grupin e Kumanovës, sipas palës mbrojtëse është zhvilluar me shumë mangësi. Palës mbrojtëse ju refuzuan mbi 50 dëshmitarë, në mesin e të cilëve kishte emra të njohur të funksionarëve shtetëror por dhe ish funksionarëve, si Ali Ahmeti, Gordana Jankullovska, Sasho Mihajllkov, Musa Xhaferi, Arstan Grubi , Zoran Zaev dhe Sadulla Duraku.

Dëshmitar i vetëm i pranuar nga ana e trupit gjykues ishte Shenasi Mehmeti i punësuar në agjencinë e inteligjencës që supozohet të jetë dëgjuar në bisedat e përgjuara me disa nga pjesëtarët e Grupit. Por i njëjti nuk u lejua të dëshmojë nga Agjencia për inteligjencë me arsyetimin se bëhet fjalë për sekrete shtetërore. Ndërsa Nimet Abdullai, agjent i DSK-së i cili ishte përmendur nga pjesëtaret e grupit të Kumanovës, ndërroi jetë nga një sulm kardiak .

37 të akuzuarit në të gjitha 80 seancat gjyqësore, ngjarjet e 9 dhe 10 majit në lagjen e Trimave i kanë cilësuar si një kurth nga ana e disa personave nga Maqedonia, por në asnjë rast ata nuk kanë përmendur ndonjë emër konkret. Të gjithë të akuzuarit vazhdimisht kanë thënë se arsyeja e ardhjes së Maqedoni ishte për ti mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe asnjëri nuk kishte ardhur për para.

Lidhur me sulmin e armatosur në Kumanovë më 9 dhe 10 maj shërbimet ishin në njohuri për sulm të armatosur. Skenarin “Kumanova” e kishte paralajmëruar një muaj më herët ish gjenerali i policisë Stojaçe Angellov i cili pretendonte se për realizimin e tij janë dhënë 2 milion euro.

Kam informacione se i janë dhënë 2 milion euro disa shqiptarëve të cilët nuk kanë lidhje me UÇK -në, janë kriminel të cilët sot gjenden në rajonin e Likovës – pati deklaruar Stojançe Angellov, Ish gjeneral i policisë më 4 prill të 2015-tës.

Për rrezikun ishte paralajmëruar më herët edhe vetë kreu i BDI-së Ali Ahmeti. I njëjti kishte urdhëruar nënkryetarin e BDI-së Sadulla Duraku të takohej me figura të cilët sot akuzohen për rastin Kumanova. Fillimisht ishte deklaruar UÇK-ja, ku përmes një kumtese që sipas shërbimeve vendase ishte lëshuar nga Zvicra, thuhej se UÇK-ja merr përsipër sulmin ndaj stacionit policorë në Malësinë e Likovës.

Më datën 1 maj 2015 grupi nga Kosova ishte futur në Maqedoni.

Në 2 maj të po të njëjtit vit kur në Sllupçan po festohej përvjetori i Zonës së lirë, grupi ishte i strukur pak metra më lart nga memoriali i dëshmorëve. Më pas ishin vendosur nëpër fshatrat e Likovës ndërsa vetë të akuzuarit në seanca gjyqësore kanë shpjeguar se në Kumanovë përveç se me automjete janë transportuar edhe me auto-ambulanca. Pjesëtar të caktuar të grupit kishin tentuar rekrutimin e personave edhe në fshatin Çerkez të Kumanovës natën e 8 majit.

Gjatë luftimeve më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 humbën jetën 8 policë të MPB-së ndërsa u vranë 10 anëtarë të grupit të armatosur. Pas tërheqjes së trupave, lindën dyshime se dy protagonistët e rastit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj u ekzekutuan pas arrestimit. Kjo u dëshmua në tre raste: fillimisht Ministria e Jashtme e Maqedonisë në listën e personave nga Kosova të arrestuar në Maqedoni i kishte futur edhe dy të lartpërmendurit, më pas mjekësia ligjore në Kosovë vërtetoi se Rizaj e Ndrecaj janë ekzekutuar pas arrestimit ndërsa në fund këtë e thanë edhe dëshmitarët e mbrojtur, përkatësisht një polic i cili në seancë dëshmoi se Begun e ka arrestuar të gjallë.

Se ekzistojnë dyshime për inskenimin e rastit nga shërbimet vendase dhe jo vetëm, kjo u vërtetua edhe përmes një telefonate që e publikuan mediat në Kosovë në të cilën një agjent i Agjencisë së Inteligjencës me inicialet SH.M bisedon në telefon më Rizajn e Ndrecajn. Temë diskutimi ishte kumtesa përmes së cilës UÇK-ja merrte sulmin përsipër dhe marrëveshja për t’u takuar më pas në Prishtinë. Dyshimet shtohen edhe më tepër nga fakti se në seanca gjyqësore të akuzuarit kanë shpalosur disa emra të agjentëve të DSK-së.

Comments