Kur bashkatdhetarët e tyre vdisnin, iranianët e pasur festonin
Iranianët e pasur ia mbathën në festa e klube nate në Turqi për të shmangur rrezikun e të qenit objektiv i protestave që përfshinë Iranin.
Provinca Van, në lindjen e largët të Turqisë, ndan një kufi malor me Iranin, duke e bërë atë një destinacion të preferuar pushimi për iranianët që duan të festojnë.
Pavarësisht kaosit në atdhe, ku më shumë se dy javë protesta u ndalën me forcë vdekjeprurëse dhe me një ndërprerje totale të komunikimeve, The Telegraph pa nga afër iranianë të elitës që mblidheshin për të pirë, për t’u socializuar dhe për të festuar në qytetin e Vanit.
Banorët vendas thanë se ditët e fundit, iranianë të pasur, disa prej të cilëve thuhet se mbështesin regjimin islamik, kishin ardhur në Turqi për t’i shpëtuar paqëndrueshmërisë politike, nga frika se protestuesit mund të ktheheshin edhe kundër tyre.
“Këta njerëz përfitojnë nga regjimi,” tha një iranian për ta, duke kërkuar të mbetej anonim nga frika e hakmarrjes së regjimit.
Image”Ata u larguan hëpërhë nga Irani sepse kishin frikë të qëndronin atje. Këtu ndihen të sigurt. Kanë fituar shumë para nga bizneset e tyre në Iran dhe pastaj vijnë këtu për t’i shpenzuar.”
Frekuentuesit e klubeve përshkruan një përvojë krejt tjetër të Iranit gjatë javëve të fundit, ndryshe nga ajo e protestuesve.
Njëra prej tyre tha se kishte folur me të afërmit tri ditë më parë gjatë pushimeve në Turqi, ndërkohë që miliona iranianë nuk mund të hynin në internet apo të telefononin familjarët për shkak të mbylljes kombëtare të internetit.
Ajo fliste për kompaninë ndërkombëtare që drejtonte me bashkëshortin mes Iranit dhe Turqisë, ndërsa pinte nargjile dhe vodka.
ImageMegjithatë, iranianë të tjerë që po largoheshin nga vendi i thanë The Telegraph se kishte pasur vrasje masive, duke u shqetësuar se numri real i viktimave kishte arritur në dhjetëra mijëra.
Deri tani, HRANA, një organizatë për të drejtat e njeriut me bazë në SHBA, ka verifikuar 3090 të vdekur, përfshirë 2885 protestues, dhe mbi 22,000 arrestime. Grupe të tjera thonë se shifrat mund të jenë edhe më të larta.
Në një lëvizje të rrallë të shtunën, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, pranoi se kishte pasur viktima, por fajësoi SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave.
Disa iranianë ishin larguar nga vendi pasi të afërmit e tyre ishin burgosur. Lidhjet me persona që regjimi i konsideron të padëshirueshëm mund t’i bënin ata shënjestër.
“Është shumë fyese,” tha një iranian, duke iu referuar festuesve. “Imagjino sikur në vendin tënd të ishin vrarë mijëra njerëz. A do të të bënte zemra të dilje të kërceje në një bar?”
Një mbrëmje në klub, hyrja, pijet, ushqimet, nargjileja, mund të kushtojë më shumë se paga mesatare mujore në Iran, e cila është rreth 75 paund.
ImageFakti që disa njerëz mund të udhëtojnë jashtë vendit dhe të shijojnë jetën e natës tregon hendekun e madh social dhe ekonomik në Iran, një nga arsyet pse tregtarët dolën të parët në rrugë në fund të dhjetorit, duke ndezur protestat masive.
Inflacioni i lartë e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike. Ndërprerjet e ujit, energjisë elektrike dhe gazit janë bërë më të shpeshta, duke e vështirësuar jetën e përditshme për gjithnjë e më shumë njerëz.
Vetëm vitin e kaluar, HRANA regjistroi të paktën 2294 protesta në të 31 provincat. Shumica lidhej me probleme ekonomike, me protesta të organizuara nga sindikata apo punëtorë për paga të papaguara ose mashtrime financiare.
Ekspertët thonë se goditja e qeverisë ndaj protestave, së bashku me mbylljen e internetit, do ta dëmtojë edhe më shumë ekonominë, duke ndërprerë bizneset. Çdo orë pa internet i kushton Iranit rreth 1.5 milionë dollarë, sipas NetBlocks.
Edhe ata që nuk punojnë online preken, si shoferët që dërgojnë mallra nga porositë online, sepse këto transaksione ndalen.
Mostrajtimi i problemeve ekonomike do të thotë se protestat mund të rifillojnë, dhe organizatat e të drejtave të njeriut druhen se regjimi mund të vazhdojë dhunën e ashpër për t’i ndalur.
Në të kaluarën, regjimi ka qenë i kujdesshëm në përdorimin e forcës ekstreme, nga frika se do të nxiste edhe më shumë zemërimin e publikut.
Këtë herë, ai ishte i gatshëm të përdorte brutalitet të rëndë për të qëndruar në pushtet dhe për të shtypur disidencën.
Prandaj nuk është çudi që shumë iranianë thonë se mbështesin veprime më të forta nga SHBA-ja, konkretisht vrasjen e drejtuesve të regjimit dhe zyrtarëve të lartë të sigurisë, gjë që, sipas tyre, do t’i jepte popullit një mundësi tjetër për t’u ngritur dhe kërkuar ndryshim.
Por ata janë të zhgënjyer që Donald Trump, presidenti amerikan, duket se po e rishqyrton këtë ide pas një vale aktivitetesh diplomatike nga vendet e Lindjes së Mesme, të shqetësuara se veprime të njëanshme ushtarake do ta destabilizonin rajonin.
“Trump na nxiti të vepronim, të qëndronim në rrugë,” tha një tregtar iranian. “Por tani jemi të zhgënjyer sepse nuk ndodhi asgjë.”
Por ndryshimi i regjimitdukej një mundësi e largët brenda mureve të klubit, ndërsa DJ vendoste edhe një ritëm tjetër të fortë dhe gjithnjë e më shumë njerëz mbushnin pistën e vallëzimit.
Në Van, ka aq shumë vizitorë iranianë, disa madje martohen me turq dhe sistemohen aty, saqë kafenetë dhe restorantet kanë menu në persisht dhe shërbejnë ushqim iranian. Shumica ndodhen pranë një rruge të vetme, e zbukuruar me çadra shumëngjyrëshe, në qendër të qytetit.
“Janë shumë të pasur, nuk u intereson çfarë ndodh,” tha një tregtar iranian çaji për iranianët e elitës që festojnë në qytet. “Ata duan të qëndrojnë në pushtet dhe të vazhdojnë të bëjnë para. Janë të shkëputur nga populli.”
“Ndërsa ne, të varfrit, vijmë këtu për të shitur vezë, çaj, vetëm për të fituar pak më shumë. Të gjithë kemi shumë frikë nga regjimi.” / The Telegraph – Syri.net

