Tragjedi në cirk, ndërron jetë akrobati, ra gjatë numrit – VIDEO

561

Vdekja e akrobatit të “Cirque du Soleil” gjatë një spektakli në Tampa të Floridas përpara syve të tmerruar te publikut është pasqyruar gjerësisht nga shtypi i huaj që ka nisur të zbardhe detaje nga incidenti fatkeq.

38-vjeçari Yann Arnaud ishte duke performuar për herë të parë një numër të ri për të cilin qe shprehur mjaft optimist në mesazhin e tij të fundit në Instagram.

15 vite eksperiencë nuk mjaftuan për ta shpëtuar nga kthetrat e vdekjes; Pas një rrotullimi me kolegun Pawel Walczewski, atij i rrëshqiti litari nga duart, edhe pse siç rrëfyen disa nga spektatorët, ishte përpjekur dëshpërimisht të mbahej pas tij në çastet e fundit përpara rrëzimit fatal.

Kompania, që në përgjithësi nuk përdor rrjeta mbrojtëse në spektaklet e saj, u shpreh thellësisht e tronditur nga vdekja e 38 vjeçarit e sqaroi se po mbledh sa më shumë informacione që të jete e mundur mbi episodin tragjik.

Presidenti Daniel Lamarre e cilësoi Arnaud si njërin prej artistëve më me eksperiencë të trupës së cirkut me famë botërore. Ndonëse është ende shumë shpejt sipas tij për të dalë në përfundime, Lamarre theksoi se nuk besoj që shkak i ngjarjes së rëndë të jetë bërë ndonjë problem me pajisjet.

Si policia e Tampas, ashtu dhe Administrata Federale e Shëndetit dhe Sigurisë kanë nisur dy hetime të pavarur mbi incidentin që vjen 5 vjet pasi një tjetër pjesëtare e “Cirque du Soleil”, trapezistja 31-vjeçare Sarah Guillot-Guyard humbi jetën nga rrëzimi prej 15 metrash lartësi.

Comments