Reja: Pse të mos fitojmë kundër Francës?

Trajneri Edi Reja ka dalë në një konferencë për shtyp ku flet para ndeshjeve me Francën dhe Islandën. Ai sqarohet për listën dhe zgjedhjet e bëra para këtyre dy ndshjeve të rëndësishme për kualifikueset e Europianit. Numri një i stolit preku një sërë çështjesh të rëndësishme.
Lista – “Siç e shikoni që kemi nisur rinovimin e ekipit me lojtarë të moshave më të reja. Kemi disa lojtarë të shpresave. Gjëja e rëndësishme është se jemi të fokusuar në dy ndeshjet e radhës te Franca dhe Islanda. Duam të marrim rezultat, por dhe të integrojmë futbollistët e rinj”.
Çekiçi – “Është lojtar që po e ndjekim, pasi ka bërë mirë, por ftova futbollistët që i njoh. Cikalleshi dhe Sadiku nuk luajnë, por unë i njoh dhe zgjodha Cikalleshin. Do e ndjekim dhe mund ta ftojmë në ndeshjet e radhës. Kam zgjedhur futbollistë që i vlerësoj dhe nga ana fizike me lojtarë që janë gati të përballen me ekipe të forta”.
Pritshmëritë – “Luajmë kundër një ekipi me futbollistë të mëdhenj. Ne shkojmë për ta vendosur në vështirësi Francën dhe duam të bëmë paraqitje të mira. Ne mund të përsërisim paraqitjet e mira me Francën. Shpresoj të marrim dhe rezultat me kampionët e botës. Në ndeshjen ndaj Islandës luajtëm shumë mirë, patëm rënie ndaj Moldavisë dhe tani duhet të rikthehemi me paraqitje të mira”.

Deschamps – “Francën e njohim, por nuk e di me çfarë sistemi do të luajnë, por e njohim. E dimë se janë shumë më të fortë se ne, por duhet të bëjmë paraqitje të mirë dhe t’i vendosim në vështirësi. Nuk mund të them se si. Duhet të hedhim lojtarët që janë më mirë fizikisht. Dua të hedh në fushë futbollistët që janë më gati fizikisht”.
Merkato – “Jam i shqetësuar pak, pasi disa kanë luajtur, disa jo. Disa nuk janë me ekipe. Nuk e kemi vetëm ne, por dhe ata kanë probleme të njëjta, pasi kanë disa futbollistë që nuk janë krejtësisht në formë. Kur këmbët e lojtarëve nuk janë gati, ne shqetësohemi si unë dhe Deschamps. Më vjen mirë që ai na vlerëson dhe ka thënë se jemi ekip i fortë dhe do të jetë ndeshje e komplikuar. Do të mundohemi të marrim maksimumin në këtë sfidë. Kemi futbollistë që kanë luajtur dhe kanë marrë minuta në këtë fillim sezoni. Pothuajse të gjithë futbollistët kanë marrë minuta”.
Mungesa e Mbappes – “Është pozitive, pasi e dimë se sa i mirë është, por nuk është se nuk kanë alternativa. Te Franca mjafton të kapësh një futbollist rastësor dhe ai bën diferencën. Nuk kemi frikë kundërshtarët tanë, pavarësisht se mund të bëjnë diferencën në çdo moment. Nuk duhet t’i lëmë hapësira dhe të mos luajmë vetëm me një portë, por të barabartë”.
Sa pikë në dy ndeshje? – “Nuk kemi të njëjtat shanse si me Francën dhe Islandën. Duhet të fitojmë me Islandën dhe të përmirësojmë vendin në renditje. Askush nuk e priste që Turqia të fitonte ndeshjen ndaj Francës, kush tha se mund të mos marrim pikë ne? Nuk duhet të gabojmë ndaj Islandës, pasi e kemi kundërshtar direkt”.
Grupi – “Nuk e di nëse do të arrijmë sukseset e grupit që bëri me De Biasin. Jam i kënaqur me punën që kemi bërë, pasi kemi bërë hapa të rëndësishëm. Më ka pëlqyer qëndrimi i disa lojtarëve që kanë punuar me motivim dhe zell. Dua që lojtarët kur të dalin nga fusha të kenë shpenzuar 100% të tyre. Duhet të punojmë të gjithë bashkë në të njëjtin drejtim. Ervini Bulku dhe Salihi janë dy asistentë të afërt të mi dhe pjesa tjetër e stafit po na përgjigjet si duhet. Jam i kënaqur dhe mendoj se kemi krijuar një ekip të fortë në bazë të provojës që kam. Do të jap shpirtin që të arrij objektivat, pasi jam i motivuar të vazhdoj më tej. Bashkëpunimi im me FSHF mbaron në nëntor, më pas vendos Federata se çfarë do të ndodhë, duhen rezultatet”.
Basha – “E njoha Bashën kur shkova për të parë Kaçen dhe Mihajn. Basha ka qenë i parë që kam njohur, tregoi një forcë karakteri dhe më ndihmoi për t’u integruar me skuadrën dhe për të kuptuar si funksion grupi. Ai e kishte kuptuar situatën e keqe me Panuccin dhe ndikoi pozitivisht te grupi. Basha u tregua një njeri i madh. Me moshën që ka dhe me faktin se është shtuar dhe me një vajzë do të kalojë më shumë kohë me familjen. Ai e kupton shumë mirë situatën dhe kemi folur para ndeshjes me Islandën. Dua ta falenderoj për atë që ka bërë për kombëtaren dhe për mua. Shpresoj që FSHF ta ketë në konsideratë dhe t’i ofroj rol në të ardhmen”.
E ardhmja – “Jam gati të vazhdoj, pasi kam gjetur një frymë të mirë këtu. Varet e ardhmja nga rezultatet. Nuk kam bërë kontrata më të gjata se 1-vjeçare, pavarësisht se më janë ofruar dhe për 2 apo 3 vite. Do ta shohim pas nëntorit se si janë rezultatet etj. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara, mjafton të përmendim stadiumin e ri. Dua ta provoj stolin e stadiumit të ri, pasi duket shumë i mirë dhe dua ta provoj të drejtoj nga ajo pankinë”. /Telesport/