Çair, shkolla “7 Marsi” përmbytet nga shiu

465
fresco

Pas çdo reshje shiu, kështu duket shkolla fillore “7 Marsi” në komunën e Çairit. Edhe pse vetëm një dekadë në përdorim, nuk ka pjesë në muret e shkollës që nuk është e lagur dhe e çarë nga lagështia. Madje, korridoreve të saj akoma pikon ujë. Në shumë vende janë vendosur kova për të mos lejuar vërshimin e dyshemesë. Gjendjen katastrofale të shkollës e konfirmojnë edhe vet nxënësit që për 6 e 7 orë qëndrojnë aty e që shpesh herë janë rrëzuar duke tentuar të evitojnë ujin në shkollë. Mbrapa kamerave folën edhe mësimdhënësit duke rrëfyer se shpesh herë është ndërprerë edhe procesi mësimor për shkak të përmbytjeve në shkollë. Ujë pikon edhe në zyrën e drejtorit, por ekipi i Alsat nuk u lejua të merrte pamje.

“Ka lagësht shumë, në pushim kur dalim, poshtë është krejt ujë”.

“Ka raste kur edhe jemi rrëzu, kemi rrëshqit”.

“Vecet janë krejt ujë, nuk bëjnë, duhet me shku deri në shtëpi për nevojën”.

Drejtori Halil Palloshi tha se shkolla është shkatërruar shpejtë si rezultat i lëshimeve gjatë ndërtimit të kulmi të shkollës që kurrë nuk u riparuan nga firma ndërtuese. Por edhe në fasadën e jashtme të shkollës vërehen dëmtime, madje objekti ka nisur të ndahet në dysh.

 Shkolla është e re, kulmin e kanë lënë me defekt, hulluqet nuk I kanë rregullua si duhet edhe prej ulluqeve po hyn uji. Shkolla është e ndarë me projekt në dy pjesë, ata është dashur me vëndu llamarinë, nuk kanë vëndu llamarinë te ajo pjesa e ndarë, kanë vendos malter edhe malteri ka ra edhe tash shihet sikur është e çarë, në fakt nuk është e çarë. Derisa ka reshje shiu pikon. Kur pikon angazhohen më tepër, e pastrojnë, rregullojnë dhe vazhdojnë me mësim- deklaroi Halil Palloshi, drejtor I shkollës fillore “7 Marsi”

Drejtori Palloshi, tha se shkolla urgjentisht duhet rikonstruksion dhe për të njëjtën tashmë është njoftuar edhe komuna e Çairit, përgjegjëse për shkollat fillore. Drejtuesit e shkollës nuk kishin informacione se cila firmë ka ndërtuar objektin dhe sa ka qenë kostoja e përgjithshme për këtë objekt. Nga komuna e Çairit thane se gjatë ditës së enjte do të sigurojnë informacione të plotë mbi të gjitha procedurat e ndërtimit të shkollës si dhe për nëse do të kërkojnë përgjegjësi nga firma ndërtuese.

Melihate Rustemi                

Comments