Kuvendi francez më 21 nëntor do të debatojë për Protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO
Kuvendi Kombëtar i Francës më 21 nëntor të këtij muaji do të debatojë dhe me siguri do ta miratojë Propozim-ligjin për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, lajmëroi korrespondenti i MEDIAL-s.
Propozim-ligji i Ministrisë franceze për Evropë dhe Punë të Jashtme me të cilin ratifikohet Protokolli i NATO-s për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tashmë është miratuar nga Senati në Paris më 17 tetor, ndërsa ai është në procedurë parlamentare në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Kuvendi Kombëtar. Pas debateve të komisioneve, ligji i propozuar do të gjendet për debat në seancë kuvendore më 21 nëntor, kur pritet edhe të miratohet.
Në elaborimin e Propozimit, të lëshuar nga Ministria franceze për Evropë dhe Punë të Jashtme, aderimi i Maqedonisë së Veriut në NATO “do ta përforcojë sigurinë e rajonit dhe të Aleancës në tërësi”.
“Franca do të mbetet veçanërisht vigjilente lidhur me parimet kyçe të procesit të zgjerimit të NATO-s, ndërsa këto janë vlerësimet e arritjeve individuale të vendeve kandidate dhe kontributin e tyre për sigurinë e rajonit euroatlantik”, theksohet në elaborimin.
Pas ratifikimit të Protokollit nga ana e Francës, do të mbetet që ai të miratohet edhe nga Parlamenti spanjoll, që pritet të ndodhë deri në fund të janarit, me çfarë do të përfundojë procesi i ratifikimit të dokumentit në të gjitha 29 vendet anëtare të NATO-s dhe vendi do të bëhet anëtarja e plotfuqishme e Aleancës

