Prej deklarimit në Gjykatë se ishte i sëmurë e deri tek akuzat ndaj tij, kush ishte ish-prokurori që u gjet i vdekur

423
fresco

Prokuroria e Prizrenit ka bërë të ditur se ish-prokurori, Agron Matjani është gjendur i vdekur rreth orës 09:30, në banesën e tij në Prizren.

Matjani para pak ditësh ka qenë në bankën e të akuzuarve nën dyshimin se ua zbuste veprat palëve në procedurë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në maj të këtij viti, kishte marrë vendim që t’i propozohet Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, shkarkimi i prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Agron Matjani.

Për herë të fundit në bankën e të akuzuarit ishte ulur me 22 nëntor 2019, me ç’rast ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores speciale, Merita Bina-Rugova, ish-prokurori Matjani kishte dhenë deklaratat e veta

Ai gjithashtu kishte kërkuar që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare, pasi sipas tij, për shkak të problemeve shëndetësore nuk ishte në gjendje të përfaqësojë veten, sepse siç tha ai, është i papunë që një vit.

Lidhur me kërkesën e të akuzuarit Matjani, prokurorja speciale kishte thënë se mbrojtja nuk ishte e obligueshme, megjithatë do ta lë në dorë të gjykatës të vendosë.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama e ka njoftuar të akuzuarin se lidhur me kërkesën e tij për caktimin e një mbrojtësi do të vendosë jashtë seancës.

Sipas prokurorisë, Matjani me rastin e ngritjes së aktakuzës në disa raste penale, në mënyrë drastike e kishte zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, ashtu që për kryesit e veprave kishte siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kishin kryer.

Në aktakuzë thuhet se në një rast penal kundër kryesve Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi të cilët më të shtëna zjarri nga pushka automatike dhe nga revolja i kishin privuar nga jeta tre persona të cilët kishin qenë të ulur në një kafiteri të Gjakovës, përderisa me vendim hetimin e kishte zhvilluar një prokuror tjetër në drejtim të veprës penale “vrasje e rëndë”, nga neni 179 të KPRK-së, për të cilën vepër parashihet dënim jo më pak se 10 vite burgim ose burgim të përjetshëm, i akuzuari Matjani me 31 janar 2018, kryesit e veprës i ka akuzuar për “vrasje”, nga neni 178 e cila dënohet jo më pak se 5 vite burgim, edhe përkundër vrasjes së tre personave, hakmarrjes së paskrupullt dhe duke vënë në rrezik jetën e personave të tjerë.

Ndërsa, sipas PSRK-së në një rast tjetër penal kundër kryesit Luan Haxhishabani, hetimi ishte zhvilluar në drejtim të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 dhe veprës penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 428 i KPRK-së, por i akuzuari Matjani me 12 dhjetor 2017, aktakuzën e kishte ngritur vetëm në drejtim të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e dënueshme deri në 5 vite burim, edhe pse i akuzuari në këtë rast në cilësinë e ekzaminerit në Qendrën e Patent-shoferevë në Gjakovë, prej kandidatit kishte kërkuar dhe marrë të holla në shumë prej 300-500 euro.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Matjani në aktakuzë nuk kishte përfshirë edhe veprën penale “marrja e ryshfetit”, edhe pse në veprimet e të akuzuarit ishin plotësuar elementet e kësaj vepre penale.

Me këto veprime, sipas PSRK-së ish-prokurori Matjani për kryesit e veprave kishte siguruar dobi jo-materiale- dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cila i kishin kryer.

PSRK-ja të akuzuarin Matjani po e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /Lajmi.net/

Comments