Ahmeti: Ligji u dërgua në Komision për të zbutur tensionet
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se ka qenë në dijeni se Ligji i gjuhëve do të dërgohet në tërësi në Komisionin e Venecias. Kjo sipas tij është bërë që të zbuten tensionet brenda qytetarëve maqedonas.
“Në momentet kur është negociuar, është biseduar për Ligjin, miqtë tanë ndërkombëtar na kanë dhënë një mendim, që është mirë që Ligji të përcillet edhe në Komisionin e Venecias, me qëllimin më të mirë, për të ulur dhe zbutur tensionet por edhe paragjykimet e bashkëqytetarëve tanë maqedonas”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, njofton TV21.
Deputeti i BDI-së Artan Grubi ditë më parë në Top Tema të Televizionit Tellma tha se marrëveshja ka qenë që në Komisionin e Venecias të dërgohen vetëm një paragraf i nenit 8.
“Marrëveshja ishte që të dërgohen në Komisionin e Venecias vetëm pjesët e Ligjit, nga neni 8 paragrafi, e cila kishte të bënte në uniformat, në paratë dhe letrat me vlerë…”, ka thënë Grubi.
Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja opozitare paralajmëron amendamente për Ligjin e përdorimit të gjuhëve, por kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi tha se për këtë nevojitet shumicë e Badenterit, por ajo hëpërhë nuk është e mundur të sigurohet, pasi nuk ka disponim për pranimin e tyre nga ana e deputetëve shqiptarë.
Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar se këtyre ditëve do të formohen grupe të punës ku siç tha, “bashkë me partnerët e koalicionit do të përcaktohet mënyra se si të zbatohen rekomandimet e Komisionit të Venecias”.