Ministrat “pushtojnë” Kumanovën, qytetarët: Vizitat, vetëm për pikë politike

501
fresco

Në përgatitje për të mbajtur seancën qeveritare në Kumanovë, ministrat e kabinetit të Zoran Zaevit kanë pushtuar qytetin. Madje vetura e Ministrit të Bujqësisë Trajan Dimkovski, parkohet në vendin e taksistëve, duke pritur për t’i ardhur kolegët e tjerë. Qytetarët, si rëndomë në shesh shtyjnë kohën, në pamundësi financiare për t’u ulur në kafenetë. Me ata që folëm, thanë se të rinjtë kanë emigruar, kurse ata në moshë ankohen se shteti i ka lënë pas dore dhe vizitat e sotme i vlerësojnë si fushatë politike.

“Kur të duhet për vota, ata vijnë tek ne, cilado qoftë parti. Ndërsa ne nuk kemi kanalizim jetojmë ende me puse të ujërave të zeza.”

“Që na kanë vjedhë dhe mashtruar, jo neve të moshuarve por juve të rinjve dhe Maqedoninë. Nuk dua t’i shoh, do të shkojmë në opsionin e tretë.”

“Po në Kumanovë bre vëlla hiç mos vet se si jetohet! Më parë jetonim më mirë, tani varfëri e madhe, djemtë e rinj po dalin jashtë shtetit nga papunësia po largohen prej këtu.”

“Të rinjtë shumë dobët, ja nipi im ka kryer fakultetin, nuk ka punë dhe rri në shtëpi. Ka dy vjet që nuk mund të gjej punë, vajza gjithashtu nuk punon.”

“Më parë të gjithë ishin të buzëqeshur, përshëndeteshim. Tani, s’të thotë kush tungjatjeta, populli është përzitur, partitë i kanë përçarë.”

Ndërkohë, Ministri i Transportit dhe lidhjeve inspektoi ndërtimin e rrugës Kumanovë-Shën Nikollë. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale u takua me familjet që jetojnë me pensione sociale. Kurse, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe gjatë vizitës së Spitalit të qytetit promovoi aparatura të reja endoskopike. Ndërsa, Drejtoresha e Spitalit tha se pajisje ka por ka edhe mungesë të specialistëve.

Intensivisht do të punojmë në periudhën e ardhshme që spitalin e qytetit ta shndërrojmë një qendër klinike, duke pasur parasysh se ka nevojë për ekspertë nga shumë fusha. Meqë deri tani nuk ka ekspertizë vijnë specialistët prej klinikave të Shkupit për të punuar me mjekët këtu – deklaroi Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.

Për fat të keq ishte i ulët interesi i specializantëve për anesteziologji, mungesë ka pasur për vite me radhë, e di se 30 vjet punoj këtu. Tani për momentin kemi vetëm një specializant në anesteziologji edhe pse kishim më tepër miratime nga Ministria – tha Snezhana Zaharieva, drejtoreshë e Spitalit të Kumanovës.

Ndërsa në Kumanovë zhvillohet seanca qeveritare nën moton “Një shoqëri për të gjithë”, në disa nga lagjet e qytetit vazhdojnë të mbeten mbishkrimet nëpër mure “Vdekje për Shqiptarët”.

Adnan Qaili

Comments