Jo veç presidentin, kjo është kërkesa e re e LDK-së për strukturën e dy ministrive
Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar ofertën e fundit në drejtim të VV-së, atë të takimit të 8 janarit.
Në këtë formë LDK ka konfirmuar se e do postin e kryeparlamentarit, pozitë që aktualisht mbahet nga Glauk Konjufca, e që me kërkesën e LDK-së, kërkohet që ai të dorëhiqet ose tërhiqet, shkruan lajmi.net.
E problem mes dy partive po del të jetë edhe struktura e ministrive. LDK ka refuzuar propozimin e VV-së që sporti t’i bashkohet shëndetësisë.
Në propozimin e tyre, ata kanë kërkuar që ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’i bashkohet ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Po ashtu, ata kanë kërkuar që ministria e Punëve të Brendshme të ndahet nga ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme.
Kërkesa e plotë e LDK-së në këtë aspekt:
Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime:
a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. /Lajmi.net/

