Dhjetëra ambasada dhe katër misione të përhershme mbeten vakante
Qeveria aktuale nuk e zgjidhi problemin e përfaqësive diplomatiko-konsullore vakante, të trashëguar nga qeveria e mëparshme. 23 ambasada dhe katër misione të përhershme do të vazhdojnë të mbeten vakante edhe për një kohë të pacaktuar. Nga Ministria e Jashtme thonë se procedura është në rrjedhë e sipër.
Është në rrjedhë procedura për emërimin e ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut me dinamikën e pritur dhe të rregullt. Procedura udhëhiqet sipas rregullave të shkruara me ligj dhe sipas procedurave të shteteve pranuese dhe organizatave ndërkombëtare. E njëjta vlen edhe për procedurën për kandidatin për përfaqësues të përhershëm në NATO, nga ku pritet të përfundojnë procedurat e pajtimit, pas çka sipas ligjit, vijojnë përgatitjet e brendshme – thonë nga Ministria e Jashtme.
Vetëm 6 nga 19 kandidatët për ambasadorë që u propozuan në dhjetor morën pajtim nga shtetet pranuese, megjithatë për fillimin e detyrës së re, ka një kohë që po presin Komisionin parlamentar për punë të jashtme.
Kandidatët për ambasadorë, të cilët morën pajtim nga shtetet pranuese
- Teuta Agai Demjaha- ambasadore në misionin e KB-ve, Gjenevë
- Shpresa Jusufi – ambasadore në Prishtinë
- Shaban Jashari- ambasador në Doha
- Svetllana Geleva- ambasadore në misionin e KE-së, Strazburg
- Danço Markovski- ambasador në Tiranë
- Faton Bejta- ambasador në Kopenhagë
Kreu i Komisionit, Antonio Milloshoski shtyrjen e njëpasnjëshme e arsyetoi me zhvillimet e paparashikuara në Kuvend.
Është për t’u habitur që ndonëse kryeministri, ministri i Jashtëm, presidenti e madje edhe kryeparlamentari janë nga partitë politike në pushtet, u vonuan shumë me çështjen e ambasadorëve. Si rrjedhojë do të vazhdojnë të mbeten vakante përfaqësi të rëndësishme diplomatike- konsullore, si ajo në Uashington, Romë apo Moskë. Është joserioze të mos ketë ambasador në NATO, kur vendi të anëtarësohet zyrtarisht – tha Antonio Milloshovski, VMRO DPMNE.
Politologu, Qani Nuhiu vlerëson se pushteti do të duhej t’i dërgonte në kohë ambasadorët në NATO dhe në shtetet e BE-së, por është skajshmërish joserioze që me përfaqësi diplomatike-konsullore vakante presim anëtarësimin në NATO e fillimin e negociatave me BE-në.
Maqedonia ndodhet para një faze intensive diplomatike, kur duhet intensivisht të punojë, të lobojë, të promovojë interesat e veta. Këtu, siç duket, ndodh e kundërta. Edhe atë, duke u bazuar në rivalitetet, joseriozitetet partiake. Partitë më shumë rëndësi i kushtojnë politikave dhe interesave partiake sesa interesave të shtetit si tërësi. Kjo çështje është dashur të mendohej para 2-3 viteve që këto data kaq të rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë të priten të përgatitura dhe të kompletuara përfaqësitë diplomatike në aspektin kadrovik dhe atë profesional – deklaroi Qani Nuhiu, Politolog.
Tashmë një kohë të gjatë 23 ambasada të Maqedonisë së Veriut në botë janë pa ambasadorë. Zvarritja ndodhi që në pushtetin e kaluar për shkak të mos-marrëveshjeve me Presidentin e atëhershëm, Gjorge Ivanov. Ndërkohë edhe pse presidenti aktual Stevo Pendarovski filloi mandatin në maj, koordinimi me Qeverinë për ambasadorët zgjati më shumë seç pritej.
Anesa Saliu