Gripi boshatis shkollat, MASH ende pa asnjë masë

767
fresco

Ministria e Arsimit pa përgjigje nëse posedojnë të dhëna të sakta mbi numrin e nxënësve të cilët mungojnë si pasojë e gripit sezonal, në gjithë territorin e vendit. Nga Ministria nuk përgjigjen nëse do të propozojnë ndërprerje të procesit mësimor. Ndërkohë vazhdon mungesa e theksuar e nxënësve nëpër shkolla. Nga sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se nga rreth 20 mijë nxënës sa kanë shkollat e këtij qyteti, çdo ditë mungojnë rreth 4 mijë nxënës. Për këtë gjendje thonë se e kanë informuar Ministrinë e Arsimit.

Nga mungesa e nxënësve nëpër klasa, nuk është efektiv zhvillimi i procesit edukativo-arsimor. Ne si pushtet lokal nuk jemi kompetent për të ndërmarrë masa tjera në lidhje me këtë dukuri. Mungesa është evidente mirëpo vendimmarrja i takon MASH dhe MSH. Është shprehur mungesa e nxënësve, është komunikuar situate dhe jemi në pritje”-tha Ahmet Qazimi, Sektori për Arsim Komuna e Tetovës.

Qytetarët e anketuar nga ALSAT konsiderojnë se ndërprerja e përkohshme e mësimit nëpër shkolla, do të ulte dukshëm numrin e të prekurve nga gripi.

“Duhet një pauzë ta bëjnë derisa të kalojë gripi”

“Pasiqë ka aq shumë të sëmurë duhet të ndërpritet procesi mësimor. Ashtu se ashtu ata mungojnë se janë të sëmurë, më mirë le t’i ndalojnë të gjithë”

“Do ishte mirë që të bëhet një ndërprerje e procesit mësimor për arsye që të mos përhapet virusi edhe më shumë në popullatë sepse do të ketë pasoja edhe më të mëdha, të cilin ndoshta nuk do kemi mundësi ta ndërpresim. Do ishte mirë që ta kishin shpall prej më herët një ndërprerje që të mos jetë vonë një veprim, dhe pasojat do jenë më serioze”

Vendimi për ndërprerje të mësimit bëhet në koordinim të ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Gjatë ditës së djeshme Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se gjatë javës së shkuar janë regjistruar rreth 5,600 raste të reja me grip, që është për 70% numër më i lartë krahasuar me javën paraprake.

Vjollca Aliti                                                                              

Comments