Rama: Gati të ulem në tryezë me Metën e opozitën me ‘karta’ te hapura

Kryeministri Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me platformën e bërë publike këtë të premte nga Presidenti dhe dërguar palëve që më prill të këtij viti.
Kreu i qeverisë shkruan në rrjetin social se Presidentin nuk i ka dorëzuar asnjë platformë, ndërsa ka shtuar se është kurdoherë i gatshëm që të ulet në tavolinë me Metën dhe opozitën për t’i vënë pikat mbi ‘i’.
Rama shton se jemi afër miratimit të planit të veprimit për negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe se nuk ka rast më të mirë për të gjitha palët, sesa të mblidhen në tryezë me ‘kartat e hapura’.


“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la. Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura.
Presidenti t’i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t’i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s’kanë kohë të luajnë “e ka kush e ka” dezhurnin“, shkruan Rama.
Kujtojmë se këtë të premte Meta prezantoi një projekt- platformë me 14 pika, me qëllim zgjidhjen e krizës politike dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe asaj në sistemin zgjedhor.
Meta foli për idenë e krijimit të një ‘këshilli politik’ me nivel të lartë përfaqësimi, i cili nëse lipset rasti, do duhet të krijojë unanimitet të plotë për ndryshime ligjore që mund t’i shpërbejnë çuarjes përpara të reformës zgjedhore në ato aspekte ku procesi dukshëm ka krijuar ngecje apo boshllëqe.
Meta tha se platforma i është dërguar Ramës e partnerëve që në muajin prill./Express