25 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, 15 janë vetëm në një Call Center në Tiranë
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv.
Tashmë 33 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19.
Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë.
MInistria njofton se po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë.