Thaçi: Kam besim që puna e Trump e Grenell do të çojë në marrëveshje finale
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ka bërë homazhe tek memoriali i ushtarëve të rënë të KFOR-it, iu është përgjigjur në një konferencë për media edhe pyetjeve të gazetarëve.
Kreu i shtetit ka thënë se aktualisht është krijuar një situatë shumë e favorshme për fuqizimin e Kosovës, raporton Express.
I pyetur për vendimin e Administratës Amerikane për vazhdimin e misionit të forcave ushtarake amerikane në Kosovë, Thaçi ka thënë se vetëm me prezencën ushtarake amerikane ka stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne asnjëherë s’kemi pasur dilemë në mbështetjen e SHBA’së. Duhet të ushqejmë relacionet me Amerikën. Procesi i integrimit ne NATO dhe BE është i lidhur me SHBA’në. Vetëm me prezencën e trupave amerikane ka stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor. Jemi të përgjegjshëm përballë SHBA’së edhe në hapat tjerë të mëtejshëm”, ka thënë Thaçi, raporton Express.
Thaçi ka thënë se ka besim që administrata amerikane e drejtuar nga Trump dhe puna që po e bënë emisari për dialogun Richard Grenell mund të çojë në një marrëveshje finale që do të jetë njohja reciproke Kosovë-Serbi dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Kam besim se administrata e Trump dhe Grenell do të lëvizin gjërat drejt ndonjë marrëveshje përfundimtare që do të sjellë njohjen reciproke Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se tashmë Kosova ka larguar të gjitha pengesat për dialogun dhe se Serbia nuk ka asnjë arsyetim të vetëm për të zvarritur dialogun.
“Unë s’mund të flasë për ditë javë apo muaj. Besoj që SHBA do të marrë hapat e duhur, sidomos pas heqjes së barrierave që e pengonin dialogun. Tashmë Serbia s’ka asnjë pretekst. Çdo vonës i atribuohet”, ka shtuar Thaçi.
I pyetur për rolin që do të ketë në negociata, Thaçi ka thënë se ai që e lexon Kushtetutën e Kosovës e kupton rolin që ka .
Ndërkohë ka thënë se për të lëvizur përpara në raport me dialogun me Serbinë dhe për një marrëveshje eventuale duhet një gjithëpërfshirje, duke qenë se aktualisht Kosova drejtohet nga një qeveria e pakicës shqiptare dhe duhet edhe bashkëpunim me opozitën.
“Duhet një gjithëpërfshirje. Kemi një qeveri të pakicës shqiptare dhe duhet të punojmë me opozitën. Çdo marrëveshje e arritur duhet të kalojë përmes Parlamentit”, ka thënë Thaçi./Express/