“Na i grabitën në servis”/ ‘Dorëzohet’ Altin Ndoci, zbërthen vrasjen e vëllezërve Haxhia: I ekzekutoi Talo Çela dhe Nuredin Dumani, u kërkuan lekët e Rinasit por ata u justifikuan…
TIRANË– Dosja.al ka mësuar se përveç Talo Çelës, në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, është shpallur në kërkim edhe Nuredin Dumani. Mësohet se, sipas dëshmisë së Altin Ndocit, i cili është arrestuar në lidhje me këtë ngjarje, Çela dhe Dumani kanë qenë personat që kanë planifikuar dhe ekzekutuar dy vëllezërit Haxhia.
Ndoci shton më tej se ngjarja ka ndodhur për 4.6 milionë eurot që u grabitën në Rinas. Sipas dëshmisë së të arrestuarit, i cili tashmë ka vendosur të tregojë gjithçka, një pjesë e parave që u grabitën në Rinas, u ishin lënë dy vëllezërve Haxhia që t’i mbanin.
Në momentin që Çela dhe Dumani kanë shkuar të marrin paratë e lëna, sipas Ndocit, Besmiri dhe Viktori janë justifikuar, duke thënë se paratë ua kishin grabitur në servis dhe se nuk kishin asnjë informacion.
“Vrasja ka ndodhur për paratë e grabitura në Rinas, Talo Çela dhe Nuredin Dumani kanë organizuar gjithçka. Një pjesë e parave të grabitura në Rinas, u ishin lënë vëllezërve Haxhia. Çela shkoi t’ua kërkonte më pas, por ata u justifikuan dhe thanë se ua kishin grabitur në momentin që iu grabit edhe servisi. Më pas i vranë,”– mësohet të jetë shprehur Ndoci.
Tashmë dosja e ekzekutimit të dy vëllezërve është në duart e SPAK. Në kërkim janë shpallur Talo Çela dhe Nuredin Dumani, pasi akuzohen se janë ekzekutorët. Mësohet se Prokuroria ka në duar edhe 3 dosje të tjera nga Elbasani, vrasje mafioze që mendohet se janë kryer nga e njëjta dorë.
Vëllezërit Haxhia u ekzekutuan më 27 prill brenda makinës së tyre, të llojit “Voklsëagen”, me 55 plumba. Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre. Sapo të dy vëllezërit dolën nga banesa dhe iu drejtuan parkut, 3 persona iu dolën para me një makinë tëllojit “Toyota”, viktimat ndaluan dhe ata nisën të qëllojnë drejt tyre.
(f.m/dosja.al)