OVL-UÇK akuzon ashpër Specialen: Po shantazhojnë njerëz duke i pyetur “a ju ka sjellë dikush dosje?”

521
fresco

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po pretendon se Specialja përmes mekanizmave të saja po bën presion tek individë të caktuar në lidhje me sjelljen e mundshme të dosjeve të reja të rrjedhura nga ky institucion.

Kështu po pretendon sekretari i OVL-UÇK, Faton Klinaku, i cili tani po kryen funksionin edhe të udhëheqësit të kësaj organizate, pas arrestimit të Hysni Gucatit që mbanë pozitën e kryetarit në Organizatën e Veteranëve, shkruan lajmi.net.

Ai me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Specialja po shantazhon njerëzit përmes telefonatave në Kosovë, duke i pyetur se a ju ka sjellë dikush dosje nga ato që kanë rrjedhur nga ky institucion.

“Prokuroria Speciale e Hagës e cila është prokurori politike, në mungesë të provave ndaj Gucatit e Haradinajt, ka filluar shantazhet përmes telefonatave nëpër Kosovë duke i pyetur njerëzit a mos iu ka sjellë kush dosje, dosje të cilat iu kanë rrjedhur vet atyre e që do të duhej që hetimi për to të bëhej në Hagë”, ka shkruajtur Klinaku.

Kujtojmë se pikërisht për çështjen e dosjeve dhe publikimin e tyre, Specialja kishte arrestuar Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin,  të cilët po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Brenda 30 ditësh, sipas deklaratave të prokurorisë, ndaj të dyve pritet të ketë aktakuzë për veprat penale që aktualisht po u vihen në barrë. /Lajmi.net/

Comments