Komunikata e mangët e kryeministrisë, asnjë fjalë për atë çka tha Lajçak në takim me Hotin

470
fresco

Sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur në takim të Dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak me të cilin nuk është aspak e qartë se çfarë ka biseduar.

Menjëherë pas takimit, kryeministri Hoti ka mbajtur konferencë për media ku ishte e supozuar të flitej për takimin e tij për Lajçak, por Hoti foli gjithë kohën për shpërndarjen e parave për biznese, shkruan lajmi.net.

Ai në pyetjet e gazetarëve rreth takimit të tij me Lajçak ishte shumë i shkurtër, e njëjtë bëri edhe kur u pyet për asociacionin.

Detaje të hollësishme rreth këtij takimi nuk u dhanë as në komunikatën zyrtare të Kryeministrisë lidhur me temën.

Në këtë komunikatë, thuhet se temë diskutimi ishte procesi i dialogut dhe është përsëritur fraza të cilën Hoti e përdorë në çdo paraqitje publike, se “procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke”.

Aty flitet edhe për vlerësimin që Hoti i dha angazhimit të Lajçak dhe shprehjen e gatishmërisë për rolin konstruktiv të Kosovës në proces, por jo edhe çfarë i tha Lajçak – Hotit.

Kjo është komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Temë diskutimi gjatë këtij takimi ishte procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku Kryeministri Hoti specifikoi faktin se Qeveria mbetet e përkushtuar në këtë proces, i cili duhet të rezultojë me njohje reciproke.

“Duhet të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona, në mënyrë që të mbyllim një kapitull dhe të sigurojmë perspektivën eurointegruese”, tha Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti e vlerëson lartë angazhimin e z.Lajçak dhe ka shprehur gatishmërinë për rol konstruktiv të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë proces. /Lajmi.net/ 

Comments