Nga ‘Kurti besimtar’ e deri tek ‘E dua Muhamedin’, a po flirton Lëvizja Vetëvendosje me Islamin?
Nuk është praktikë e panjohur. Shumë shpesh, partitë politike në botë flirtojnë me fenë dominuese të shtetit në të cilin ushtrojnë aktivitetin e tyre politik në mënyrë që të mbledhin sa më shumë votues dhe sa më shumë përkrahës.
Pozicioni ideologjik i partive politike nuk është shumë i rëndësishëm kur flitet për çështjen e mbledhjes së përkrahësve rreth vetës dhe këtu, në funksion të qëllimit të tyre, mjetet të cilat përdoren për ta bërë, e humbasin rëndësinë, shkruan lajmi.net.
Kohëve të fundit, qysh para zgjedhjeve të 6 tetorit, por edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje në diskursin e saj jo-rrallë herë e ka pasur edhe islamin dhe fenë myslimane, religjion ky, dominues në Kosovë.
Kjo ka rënë në sy edhe ditët e fundit kur bota është duke përcjellë çdo ditë zhvillimet në Francë pas publikimit të karikaturave për profetin e myslimanëve, Muhamedin. Kjo ngjarje pasoi me vrasjen mizore të një profesori dhe me protesta të shumta në Francë.
E myslimanëve atje, u ka shkuar përkrahje edhe nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani. I cili në seancën e së mërkurës së kaluar në Kuvendin e Kosovës kishte vendosur një maskë me mbishkrimin “E dua Muhamedin”.
Madje, pos kësaj, Rrahmani ka kërkuar edhe shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi pasi i njëjti në rrjetin social ‘Twitter’ ka shpërndarë kronologjinë e ngjarjeve pas publikimit të karikaturave për profetin Muhamed.
“Reago me qetësi e butësi, mos fyej e mos përqesh.. Muhamedi a.s. është dërguar mëshirë për njerëzimin. #shkarkimPo #ndjekjePenalePo”, shkroi Rrahmani.
Reago me qetësi e butësi, mos fyej e mos përqesh..
Muhamedi a.s. është dërguar mëshirë për njerëzimin.#shkarkimPo
#ndjekjePenalePoPosted by Eman Rrahmani on Wednesday, October 21, 2020
E shkarkimi e Gashit e kërkoi edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi – Murtezi. Ajo në një shkrim të sajin në Facebook ka thënë se ajo përqeshja e profetit të myslimanëve është akt i papranueshëm.
Ajo tha se MPJ duhet ta tërheqë ambasadorin Gashi nga detyra. Madje, ajo shkoi më larg duke thënë se ambasadori ka bërë veprime në shpërputhje me vlerat dhe përcaktimin e popullit të Kosovës.
Është i papranueshëm akti i përqeshjes së figurës së profetit tonë Muhammed (paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të) nga…
Posted by Labinotë Demi-Murtezi on Monday, October 19, 2020
Por, këto deklarata të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje duket se kanë mbështetje diku. I pari i kësaj partie, Albin Kurti gjatë një paraqitje televizive në fushatën para-zgjedhore kishte thënë se është besimtar dhe se zoti është i rëndësishëm edhe për jo-besimtarët.
“Unë besoj që Zoti është shumë i rëndësishëm edhe për ata që s’besojnë, e lere më për mua”, kishte thënë Kurti.
Gjithashtu, Kurti edhe para fushatës zgjedhore ishte treguar aktiv në përafrimin e tij me komunitetin musliman në Kosovë, ku kishte vizituar edhe Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë.
E lidhur me këtë çështje ishte deklaruar edhe Gëzim Kelmendi, lideri i partisë FJALA, parti kjo e cila është edhe deklarativisht religjioze. Ai pas zgjedhjeve të 6 tetorit kishte thënë se votuesit e tij e kanë përkrahur Albin Kurtin.
Kelmendi ia kishte përmendur Kurtit dhe Vetëvendosjen edhe votën e tyre për kufizimin e ezanit.
Megjithatë, përafrimi i Lëvizjes Vetëvendosje me komunitetin mysliman në Kosovë mund të jetë kryekëput për çështje elektorale dhe për të mbledhur sa më shumë përkrahës afër vetës, kur dihet që sentimenti religjioz në Kosovë është shumë i ndjeshëm. /Lajmi.net/