Veseli: Kjo është mundësi që t’i përgjigjem thashethemeve të rrejshme që qarkulluan ndër vite
Edhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë.
Këtë e ka bërë të ditur vet i pari i Partisë Demokratike së Kosovës, Kadri Veseli me anë të një deklarate të lëshuar për media, shkruan lajmi.net.
Në deklaratën të cilën e ka lëshuar Veseli, thuhet se kjo do të jetë shansa që t’i përgjigjet thashethemeve të rrejshme që kanë qarkulluar ndër vite, që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar.
“Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specilizuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, UNë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashtethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra”, ka thënë Veseli.
Tutje, ai ka thënë se ka qenë e pashmangshme që kjo ditë dikur do të vinte, që akuzat e bëra nga Dick Marty të testoheshin nga një gjykatë, e t’u jepej fund njëherë e mirë.
“Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrhaur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces”, ka thënë ai. /Lajmi.net/