Ahmeti mirëpret lajmin për zgjedhjet e reja: Shpresoj të kaloj buxheti, sepse do mbesim pa asnjë cent në kohën e krizës më të madhe!
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar rreth shkuarjes në zgjedhje parlamentare.
Gjatë mbrëmjes së sotme në medie u raportua se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 40 ditësh, kjo pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi për “Qeverinë Hoti”.
E pas këtij lajmi ka reaguar kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shkruan lajmi.net.
Ahmeti ka thënë se në qoftë se ky është lajm i vërtetë, atëherë është lajm i mirë për qytetarët, mirëpo ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe deputetët që ta votojnë buxhetin për vitin 2021, pasi që sipas tij, nëse nuk kalon buxheti atëherë Kosova do të mbetet pa asnjë cent në kohën e krizës më të madhe, shkruan lajmi.net.
Reagimi i plotë i Ahmetit, pa ndërhyrje:
Në qoftë se i vërtetë, lajmi për zgjedhje është lajm i mirë. E di që qytetarët janë lodh, e di që është kohë pandemie por është pikërisht kjo e fundit që më shtyen të besoj se zgjedhjet janë opcion i mirë.
Nuk po e vlerësoj aftësinë e kësaj apo asaj qeverie – thjeshtë ishte e qartë që situata është e paqëndrueshme në kohë të krizës. Kuvendi nuk po mblidhet dhe nuk po diskuton gjërat e rëndësishme. Qeveria nuk i ka votat e qëndrueshme e as opozita nuk po i bën votat për rrëzim.
Vetëm shpresoj se Kuvendi kalon buxhetin ose së paku auzorizimet për dy muaj për buxhetin 2021. Përndryshe mbesim pa asnjë cent në kohën e krizës më të madhe!. /Lajmi.net/