Ekskluzive: Blerim Kuçi jep dorëheqje nga pozita e ministrit
Ministri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.
Lajmi.net mëson se Kuçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit.
Ndaj Kuçit kanë qenë duke u zhvilluar hetime për tenderin milionësh që ka marrë kompania e tij, “Hidro Term” për kontratën “Ndërtimi i Objektit Spitalor për Nënën dhe Fëmijën” në Prizren.
Dyshimet për këtë tender ishin bërë edhe më të mëdha pasi që fillimisht me kontratë ishte shpërblyer një kompani tjetër. Por pas ankesave të njëpasnjëshme nga kjo kompani në OSHP, ky organ kishte vendosur që ta shpallte si të përgjegjshme kompaninë e Blerim Kuçit.
Sidoqoftë, nuk dihet nëse dorëheqja e Kuçit lidhet me këtë aferë korruptive.
Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga Kuçi, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.
Po ashtu, përgjigje s’kanë dhënë ende as nga Qeveria e Kosovës.
Lajmi.net do iu mbajë të informuar në lidhje me këtë zhvillim.