MIANMAR, SHKON NË 614 NUMRI I VIKTIMAVE NË PROTESTAT KUNDËR GRUSHT SHTETIT

Është rritur në 614 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes me armë nga forcat e sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grusht shtetit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 16 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 614 numrin e viktimave.
Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 2.857 persona dhe se ka një urdhër arresti për 500 persona të tjerë.
Shënohet konflikt mes protestuesve dhe ushtrisë
Në anën tjetër, sipas lajmeve në gazetat “Myanmar Now” dhe “The Irrawaddy” të shtypit kombëtar, thuhet se dje në qytetin Taze në rajonin Sagaing u shënua konflikt i armatosur mes protestuesve dhe ushtrisë së Mianmarit.
Njoftohet se protestuesit sulmuan me shpërthyes artizanalë dhe thika ushtarët pasi këta të fundit përdorën plumba të vërtetë kundër turmës së protestuesve.
Në konflikt humbën jetën 11 protestues, ndërkohë që nuk është dhënë informacion nëse ka pasur apo jo humbje të jetëve në mesin e ushtarëve.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.