LVV: Për t’u kompletuar ndryshimi është e nevojshme edhe fitorja në komunat e Kosovës

505
fresco

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se dje kanë mbajtur mbledhje të Qendrave të kësaj partie ku kanë diskutuar për procesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, themelimin e institucioneve të reja si dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Përmes një njoftimi në Facebook, nga LVV-ja thuhet se në këtë takim është diskutuar edhe për domosdoshmërinë e ndryshimit të ligjit për zgjedhje.

“U diskutua po ashtu edhe për ecurinë e zgjedhjeve të 14 shkurtit, për fitoren plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i shtabeve lokale në Qendrat tona gjithandej Kosovës por dhe në Qendrat tona në Mërgatë për arritjen e këtij rezultati. Në këtë takim virtual u theksua domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit për zgjedhje, ndryshim ky i cili do ua mundësonte qytetarëve tanë të cilët jetojnë jashtë vendit votimin në ambasada e konsulata. Kjo veçanarisht marrë parasyshë pengesat e mëdha të cilat po ua pamundësojnë shumë qytetarëve realizimin e një të drejte themeltare demokratike, atë të votimit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga LVV-ja kanë thënë se t’u kompletuar ndryshimi është e nevojshme edhe fitorja në komunat e Kosovës.

“Ndryshimit të madh që ndodhi përmes referendumit gjithpopullor në nivelin nacional, në vjeshtën e këtij viti do t’i bashkërendohet edhe fitorja masive në komunat e Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë, përveçse e nevojshme, është edhe e domosdoshme për t’u kompletuar ndryshimi i gjithmbarshëm”, thuhet më tej në njoftimin e Lvëvizjes Vetëvendosje./Zëri

Comments