Ceca, burimi i skandaleve dhe ndjenjave nacionaliste (FOTO)
Svetlana Raznatoviç – Ceca, pos në muzikë, e njohur është edhe për kauzat politike serbe, kryesisht kur ato zhvillohen kundër shteteve me të cilat Serbia kishte konflikte, si Kosovën, Kroacinë dhe Bosnjë Hercegovinën. Evenimenti i fundit i këtij lloji ishte në vitin 2018, kur Ceca, ani pse nuk mori autorizim nga autoritet kosovare, u fut brenda territorit të Republikës së Kosovës, për të mbajtur koncert në Mitrovicën e Veriut
Ishte dhe vazhdon të jetë një nga këngëtaret më me influencë në tërë Ballkanin. Ajo arriti t’i rezistojë kohës dhe problemeve serioze me ligjin duke mbetur akoma ndër artistet më produktive, me sukses në gjithë Serbinë dhe më gjerë. Por, më tepër se krijimtaria muzikore, emri i saj – Ceca, krijon më shumë jehonë kur në pyetje vihen ndjenjat nacionaliste, problemet me rendin dhe jeta e saj personale si e veja e ish-kriminelit, Zeljko Raznatoviç, të njohur si Arkani. Ceca – një grua e rritur në fshatin Zitorada të Serbisë – fare e re filloi të këndonte nëpër “kafana”, teksa suksesin e parë në karrierën artistike e fitoi me albumin “Cvetak Zanovetak”, publikuar në vitin 1998, prej ku dolën hite, që i dhanë asaj famë edhe jashtë Serbisë, përfshirë edhe Kosovën.

MARTESA E SAJ E BUJSHME ME ARKANIN
E njohur për fjalimet nëpër koncerte, të cilat ngjallnin ndjenjat nacionaliste serbe, duke lënë në harresë ngjarjet aktuale të cilat forcat serbe po ndërmerrnin në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, teksa po performonte për Gardën Vullnetare Serbe “Tigrat e Arkanit”, gjatë tetorit të vitit 1993, ajo takoi burrin e saj të ardhshëm, kriminelin e njohur për masakra, përfshirë luftën në Kosovë, Zeljko Raznatoviç – Arkani. Arkani, vendosi të braktis gruan dhe dy fëmijët e tij, për t’u martuar me këngëtaren që po ngjitej shkallëve të suksesit. Në një periudhë kur po zhvillohej lufta që përfshiu gjenocidin e Srebrenicës, çifti Arkan dhe Ceca, vendosën të martohen zyrtarisht me datë 19 shkurt të vitit 1995. Dasma e tyre mori një vëmendje të madhe duke pushtuar televizionet dhe titujt e gazetave, të cilët e quanin si “përrallë serbë”.
Ani pse Zeljko, i njohur për veprimtarinë e tij kriminale nëpër gjithë globin, pranoi nga Tribunali i Hagës një akuzë zyrtare për krime lufte dhe gjenocid të popullatës myslimane të Bosnjës, dhe ishte i përndjekur për vite të tëra nga Interpol, këto fakte nuk e penguan asnjëherë Cecën që ajo të shfaqte në çdo intervistë dashurinë dhe pëlqimin që kishte për personalitetin e burrit, si para ashtu edhe pas vdekjes së tij. Martesa e tyre zgjati vetëm pesë vjet, sepse Arkan u qëllua me plumba nga një bandë rivale mafioze, teksa ndërroi jetë rrugës për në spital – në krahët e Cecës. Ju desh një vit kohë, që këngëtarja e hitit “Idi dok si mlad”, të bënte paraqitjen e parë televizive pas vdekjes së bashkëshortit, ku edhe pse ai ndërroi jetë duke lënë pas krime të dokumentuara nga gjykatat më prestigjioze të botës, Ceca nuk hezitoi t’i thotë lëvdatat e saj për ish partnerin.
Në intervistën e parë të dhënë në televizionin serb “Pink”, ajo u shpreh jo e penduar, duke mohuar akuzat karshi burrit të saj, teksa theksoi dashurinë – “Një pjesë e imja vdiq atë ditë. Unë gjithmonë do ta dua atë, dhe vetëm atë, jam e sigurt për këtë”.

AKUZA PËR PËRFSHIRJE NË VRASJEN E KRYEMINISTRIT DJINDJIÇ
Në vitin 2003, Svetlana Raznatoviç – Ceca, u arrestua nga policia serbe mbi akuzën për dyshim në përfshirjen e saj në vrasjen e kryeministrit të asaj kohe, Zoran Djindjiç, ngjarje kjo e cila çoi Serbinë në shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Emri i saj po bënte bujë edhe në mediat botërore. Të përditshmet si “The Guardian” e “Voa News”, publikuan menjëherë artikujt e tyre karshi arrestit të artistes serbe. Madje, pasi ajo mbajti dënim me burg për jo më shumë se 121 ditë, ekipi i “The Guardian”, udhëtuan drejt kryeqytetit serb, për të zhvilluar një intervistë me Cecën, ku trajtuan temën e arrestimit dhe jetën private të të dyshuarës.
“Kontrolli i shtëpisë së Cecës solli rezultate. Në bodrum, policia u ndesh me një derë të mbyllur, të blinduar. Ceca nuk kishte çelësa për të, kështu që u desh ta prishnin. Pas saj, ata gjetën 21 armë zjarri, tre kuti municioni, pamje snajperësh teleskopikë, silenciatorë nën-automatikë, maska gazi, shkopinj policie dhe një përzgjedhje të targave të regjistruara në makinat në pronësi të Klanit Zemun”, shkruan “The Guardian”. Ndërsa, ata i drejtuan pyetjen se pse gjendeshin armë në bodrumin e saj, Ceca, në mënyre diplomatike përgjigjet: “Unë nuk e dija që gjendeshin aty. Arkan, ishte fans i madh i armëve, mbase ishin dhurata nga miqtë e tij, figura të rëndësishme politike. Çfarë prisnit të gjeni? Instrumente muzikore? Unë nuk po ndaja jetë me një muzikant, por me një komandant të fuqishëm”, tha ajo për “The Guardian”.

