Sinjalet e Ramës/ Fut në qeveri Bora Muzhaqin, buzëqeshjen fëminore të 25 Prillit
Theksin e ka “british”, kurse buzëqeshjen të bardhë si bora. Bora ka edhe emrin zv.ministrja e re e Arsimit, një nga vajzat e para të enturazhit Rama, që u promovua në qeveri, ende pa mbaruar festa e fitores së mandatit të tretë.
Bora Muzhaqi, një “hit” i ri në paradën e imazheve që ngjisin karrierat lëvizëse të PS-së, me stilin e saj, me mënyrën si artikulon dhe sjelljen e saj në publik duket se ka ngacmuar shijet e rilindjes dhe kaq ka mjaftuar për ta përfshirë menjëherë në gjirin e saj.
Profili i vajzës nga Elbasani nuk ka asnjë mospërputhje me modelin politik të Rilindjes. Kartën e studimeve jashtë, ajo e luan fort në publik, si një nga pikat më të forta. “Në përfundim të studimeve të gjimnazit, konkurrova për t’u përzgjedhur në një nga universitetet më prestigjoze, jo vetëm në Angli, por edhe në rang botëror, në London School of Economics, ku fitova të drejtën për studime në fushën e ekonomisë” shkruan në faqen e saj personale në internet, duke shpjeguar se është kthyer në Shqipëri, që në 2013.
Kthimin në Shqipëri, e shpjegon me frazat shabllon, të njëjtat shprehi dhe fjalë që përdoreshin ndër filmat e vjetër të Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Punën e nis fillimisht në një kompani private të konsulencës në Tiranë dhe më pas përzgjidhet si këshilltare e BERZH pranë Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Nga aty katapultohet direkt kandidate për deputete në Tiranë.
Por nëse vëren trajektoren e saj të fryrë në politikë, kupton se përtej angazhimit në konsulencë financiare, përtej ambicies për të ndihmuar të rinjtë me projektet start-up, buzëqeshja që ndizet në fytyrën e 31-vjecares kur ajo shfaqet para kamerave, mund të jetë ndoshta cilësia kryesore e suksesit të saj në politikë.
“Nëse shkoni te web im unë kam tre nisma personale përtej Partisë Socialiste” u tha Muzhaqi gazetarëve, gjatë emisionit Opinion në datën 22 Prill, për t’i mbushur mendjen skeptikëve në studio, se ajo nuk qe thjesht një kukull, që kishte ardhur të shoqëronte Edi Ramën në emision për ta zbutur imazhin e tij të rrënuar nga aferat e konçensioneve, lidhjet me krimin, shoqëria me trafikantët e drogës, përgjimet e patronazhistëve, gjobën e Beketit etj etj.
Por kur Edi Rama i ndërhyri duke e mësuar se si t’i përgjigjej gazetarëve, ajo thjesht buzëqeshi dhe iu bind si të ishte kurdisur live. “Kam 7 vite në Shqipëri, kam 7 vite që punoj. Pesë vitet e para isha në konsulencë ekonomike, isha kundër shtetit gjithë kohës, kundër doganës, kundër Ministrisë së Financave, kundër tatimeve, gjithë kohës apelime bëja. Pas kësaj isha këshilltare e jashtme në një prej ministrive, e përzgjedhur nga BERZH, si këshilltare në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit, dhe i kam ndihmuar shumë mirë bizneset në ekstremin e mundshëm dhe i kam bërë hallet e tyre sikur të ishin të miat. Por pavarësisht se bëra gjithë këtë, do më pyesni, do më thoni: A isha e kënaqur me ata që përfaqësojnë këtë qeveri? Jo me të gjithë. Dhe kjo ishte arsyeja që iu futa kësaj pune sepse mendova se nga brenda, duke qenë në krah të kryeministrit, mund të kisha një kontribut më të madh, për t’ia bërë jetën më të lehtë bizneseve, për t’ia bërë jetën më të lehtë të rinjve” tha Muzhaqi. VIDEO KETU

