SHBA-ja dhe BE-ja dënojnë vrasjet në Deçan
Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë dënuar sulmin që ndodhi më 26 nëntor në Deçan, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri u vranë tri persona dhe u plagos edhe një tjetër.
Nga sulmi me armë zjarri në drejtim të një autobusi që po bartte nxënës në relacionin Gjakovë-Deçan, vdiq shoferi i autobusit dhe dy nxënës, ndërsa mbeti i plagosur edhe një nxënës. Sulmi ndodhi në fshatin Gllogjan të Deçanit.
I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“I shokuar nga sulmi i dhunshëm ndaj nxënësve në Gllogjan. Autoritetet po punojnë që të sjellin autorët e krimit para drejtësisë së më parë. Ngushëllime të thella për familjet e viktimave dhe i uroj shërim të shpejtë të lënduarit”, shkroi ai në Twitter.
Ndërkaq në reagimin që ka bërë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është thënë që shpresojnë se i dyshuari të sillet sa më shpejt para drejtësisë.
“Të shokuar dhe thellësisht të pikëlluar nga sulmi i neveritshëm drejt autobusit të nxënësve. Bashkimi Evropian në Kosovë shpreson se keqbërësi do të sillet shpejt para drejtësisë. Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne urojmë shërim të shpejt për të plagosurin”, tha Zyra e BE-së përmes një postimi në Twitter.