Komunikimi ASH-AAA vetëm nëpërmjet komunikatave për media

412

Alternativa nuk ka pushkë për Aleancën është përgjigja e partisë së Afrim Gashit ndaj partisë së Ziadin Selës, pasi kjo e fundit një ditë më parë kërkoi nga Gashi të di nëse mbetet ose jo akoma në fuqi marrëveshja për koalicion parazgjedhor. Nga partia e Gashit thonë se marrëveshja për bashkëpunim është konsumuar.

“Pasi që tashmë i kemi kaluar dy cikle zgjedhore në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, faktikisht është konsumuar marrëveshja jonë për bashkëpunim. Megjithatë, mbetet e hapur mundësia që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato. Duke mos e perceptuar Aleancën për Shqiptarët si parti kundërshtare, po themi vetëm se për neve nuk janë mënyrë e mirë e komunikimit përllogaritja se kush me kë dhe sa herë është takuar, sepse kështu duhet të dalim borxhlinj të panevojshëm. Sidoqoftë, pavarësisht qëndrimit publik të ASH-së, ne nuk kemi pushkë për ASH-në, por do të vazhdojmë t’i konsiderojmë si miq dhe bashkëpunëtorë”, thonë nga Alternativa.

Aleanca për Shqiptarët ditë më parë kërkoi nga Alternativa të prononcohet nëse vlen akoma marrëveshja për koalicion e cila sanksionin bashkëpunimin deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kërkesa e partisë së Selës vjen pas tre takimeve që kishin Gashi dhe Zaev me qëllim zgjerimin e shumicës parlamentare.

“Marrëveshja e nënshkruar për koalicionim ndërmjet Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, në mënyrë të qartë definon kriteret dhe afatet kohore të këtij koalicionimi, respektivisht në nenin 6 të kësaj marrëveshje thuhet që: “Palët ranë dakord që ky bashkëpunim të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Rrjedhimisht Alternativa duhet të sqarojë pozicionet e saja në lidhje me këtë marrëveshje të cilën po e shkel minimum tre herë radhazi, duke u takuar publikisht me kryeministrin në dorëheqje, Zoran Zaev, për të negociuar mundësinë e hyrjes në Qeveri. Minimumi I korrektesës që ne presim nga ju është të deklaroheni a vlen apo jo marrëveshja e nënshkruar mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës? Informojmë opinionin se në të ardhmen, Aleanca për Shqiptarët do të mendojë mirë me kë do të nënshkruajë marrëveshje për koalicionim”, theksojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Koalicioni parazgjedhor Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa u arrit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020. Si koalicion fituan 12 mandate në Kuvend, 8 ASH dhe 4 Alternativa. Paraprakisht nga Aleanca për Shqiptarët kanë deklaruar se në rast që Alternativa bëhet pjesë e shumicës parlamentare, organet e partisë do të sjellin vendim për funksionimin e mëtejmë të partneritetit në Kuvend dhe në këshillat komunal. Në fillim të muajit nëntor, ASH-AAA mbështetën nismën e VMRO-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Në zgjedhjet lokale të tetorit, si koalicion parazgjedhor bashkëpunuan edhe me VMRO-DPMNE-në në Qytet të Shkupit dhe disa komuna, bashkëpunim i cili u formalizua edhe në këshillat komunal. /Alsat.mk

Comments