Presidentja e denoncon për kërcënim, Policia në kërkim të Gjergj Dedajt
Ish-amabasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, është denoncuar te organet e rendit pas deklaratës që ka dhënë dje në emisionin “Frontal” në T7 për presidenten Osmani. Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka konfirmuar për T7 se Dedaj është denoncuar për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj.
Gazeta Express mëson se Policia e Kosovës po e trajton rastin e kërcënimit të Dedajt ndaj Presidentes, të cilin e ka denoncuar ajo. PK nuk kanë konfirmuar akoma nëse Dedaj është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
“Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”, ka konfirmuar në një përgjigje për T7 Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes Osmani.
Gjergj Dedaj ka thënë se ndihet i rrezikuar nga siç e ka quajtur ai “Klani i Osmani” ku ka përmendur presidenten Vjosa Osmani dhe bashkëshortin e saj, Prindonin.

