Ndryshimet kushtetuese!

1,248
fresco

Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në ‘Severnën’ tonë, premieri Dhimo tha se është i gatshëm ta fshij nga kushtetuta nofkën e 20% që i referohet shqiptarëve.

Kësisoj, premieri Dhimo si pasardhës i titistëve të rinj është gatshëm ta heq këtë nofkë të turpit nga kushtetuta duke e zëvendësuar me një nofkë tjetër të 30% apo me një sajesë të radhës, të ‘statusit special’ të minoritetit shqiptar në ‘drzhavën Severna’!

Nga ana tjetër subjektet politike shqiptare mezi presin që premieri Dhimo të nis përgatitjet për hapjen e kushtetutës në parlament dhe këto ndryshime t’i atribuojnë atyre si nismëtarë të ndryshimeve kushtetuese dhe të heqjes së nofkës së turpit.

Po pse tani dhe jo më 2019, ku u bënë ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit të ‘dërzhavës në Severna’ ashtu siç u kërkoi pala greke në Marrëveshjen e Prespës?
Sepse subjektet tona shqiptare të koalicioni dhe të opozitës votuan ato ndryshime duke harruar nofkën e turpit të 20%, që qëndronte aty si njollë e zezë e tradhtisë së radhës me miratimin e ‘shfalerkave’ tona që për hir eurointegrimeve e të pushtetit përmes pazareve politike pranuan skllavërinë e re si popull nomad pa identitet gjuhësor por vetëm si shifra.

Si Dhimo ashtu edhe Micko e dinë shumë mirë se deri ku shkojnë kërkesat e ‘shfalerkave’ shqiptare, pa përjashtim ato pranojnë çdo lloj statusi denigrues për popullin shqiptar me kushtin që shteti dhe pushteti mos t’i vëndoj në listën e zezë si parti ‘non grata’ dhe si subjekte ekstremiste që nuk i kontribuojnë stabilitetit të ‘dërzhavës’ por përkundrazi, ato duhet të bashkëpunojnë në procesin e integrimeve europiane.

Ndaj, dekleratat e Dhimos dhe Mickos sot për fshirjen e 20% nga kushtetuta i ngjajnë dekleratave të udhëheqësve komunistë si Kiro Gligorov dhe Llazar Kolishevski në fund të LDB se ‘Pakicat kombëtare në ‘dërzhavën Makedonija’ do të gëzojnë të gjitha të drejtat që ia njeh kushtetuta’.

Është kohë e fundit që shqiptarët mos të ushqejnë iluzione se me këta liderë sllavo-maqedonë dhe me këto subjekte politike shqiptare ‘shfalerka’ të pushtetit shqiptarët do të fitojnë barazinë e plotë!

Nga sot e tutje mos t’i besoni më atyre që u thonë se ne vijmë nga tytat e pushkëve të 2001, të cilët pranuan denigrimin dhe përdhosjen me 20% në MO, as atyre që thonë se ne vijmë nga fryma nacionalizmës shqiptare që gjithashtu më 2019, miratuan kushtetutën e njëanshme të ‘drzhavës’ që njeh vetëm një komb si bartës i shtetit dhe pushtetit.

Shqiptarët kanë nevojë për një subjekt politik që njeh vetëm barazinë e plotë për shqiptarët dhe si kusht për stabilitetin dhe kontinuitetin e saj si shtet i dy kombeve, në të kundërtën do të shohim shumë shpejt për shkak të kësaj politike të shfrenuar antishqiptare sesi do të shpërbëhemi si komb përmes shpërnguljes dhe pamundësisë së ekzistencës në këtë vend të pabarazive etnike.

Medai Shaholli

Comments