Osmani raportohet se u operua në klinikë private dhe jo në QKUK, Presidenca nuk jep detaje
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik gjatë ditës së djeshme.
E njëjta njoftohet të jetë operuar pas një problemi të shfaqur në pjesën abdominale.
Saktësisht nga Zyra për Informim e presidentes Osmani është theksuar se presidentja pati një intervenim për heqjen e tëmthit.
Por ajo çfarë nuk u tha fare nga Presidenca ishte se ku në fakt është operuar Osmani.
Edhe pse kjo nuk u bë e ditur nga këta të fundit, Osmani raportohet se u operua në një prej klinikave private në Prishtinë.
Edhe pse operimi i tëmthit është një nga ndërhyrjet kirurgjike që mund të kryhet në QKUK, apo në spitalet regjionale të vendit.
Siç duket presidentja Osmani zgjodhi që të mos i besojë trajtimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, apo Spitalit të Gjilanit aty ku edhe jeton kjo e fundit.
Kësisoj presidentja Osmani iu nënshtrua këtij operimi në klinikën private, duke zgjedhur komoditetin që ofron kjo klinikë.
Ndryshe tëmthi apo organi i vogël i ngjashëm me qesen që ndodhet në afërsi të mëlçisë , është i bashkëngjitur në kanalin kryesor që mbart lëngun biliarë nga mëlçia në zorrë.
Lëngu ndihmon trupin të prish dhe të thitë yndyrat. Në të shumtën e rasteve, kirurgët heqin fshikëzat e tëmthit për të parandaluar komplikimet nga gurët e tëmthit.
Ndryshe shumë prej figurave politike e institucionale në vend kanë patur raste të ngjashme kur kanë bërë ndërhyrje kirurgjike.
Ngjashëm ishte edhe me ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili i ishte nënshtruar një operacioni por ai kishte mbajtur të informuar vazhdimisht qytetarët dhe ishte operuar në QKUK.
Njoftimi i plotë nga Presidenca:
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses.
Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.
Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike.
Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë./Lajmi.net/